Aktuale

“Ballkan”, goditet grupi i trafikut të drogës, 14 të arrestuar në Shqipëri

Të paktën 30 persona janë vënë në pranga dhe 23 të tjerë janë shpallur në kërkim pas një operacioni policor ndërkombëtar kundër trafikut të lëndëve narkotike i shtrirë në Shqipëri, Kosovë, Greqi, Maqedoni, Bullgari, Turqi dhe Itali.

14 persona janë arrestuar në Shqipëri, mes tyre edhe 3 biznesmenë në fushën e ndërtimit, si dhe pronari i një hoteli luksoz në Vlorë.

Operacioni i koduar “Ballkan” është kryer në bashkëpunim me DEA-n amerikane, ndërsa nga hetimet ka rezultuar se linja e transportimit të drogës ishte Turqi-Kosovë-Shqipëri e më pas dërgohej në Greqi ose në vendet e tjera të BE-së.

Detajet e operacionit u dhanë në një konferencë për shtyp nga nëndrejtori i përgjithshëm i policisë, Ardian Çipa dhe drejtuesi i Prokurorisë për Krimet e Rënda, Besim Hajdarmataj. Ky i fundit tha se të gjithë personat e arrestuar do t’i nënshtrohen hetimit pasuror në bazë të ligjit Anti-mafia.

Po ashtu, policitë e vendeve të lartpërmendura kanë sekuestruar 26 kg heroinë, 1.8 kg kokainë, 183 kg kanabis si dhe armë dhe një shumë të konsiderueshme parash.