Kanali i implementimit të kornizës ligjore për mbrojtjen dhe riintegrimin e viktimave të dhunës në familje dhe trafikimit të qenieve njerëzore ngec në gjykata.
Sipas analizës së realizuar nga Qendra për Mirëqenien e Gruas në Pejë dhe Koalicioni i Strehimoreve të Kosovës, gjetjet e së cilës janë publikuar të enjten në Prishtinë, gjykatat janë të ngadalshme në trajtimin e rasteve dhe kanë tendencë të shqiptojnë dënime të lehta, shkruan sot Koha Ditore.
“Kanali i veprimit ngec në nivelin e gjykatës. Shumica e institucioneve të përfshira deklaruan se gjykatat janë të ngadalshme në trajtimin e rasteve dhe kanë tendencë të shqiptojnë dënime të lehta”, ka thënë kryesuesja e Koalicionit të Strehimoreve të Kosovës, Ardita Ramizi – Bala, në konferencën ku janë prezantuar gjetjet e analizës që është përkrahur nga Bashkimi Evropian.
Megjithëkëtë, Ramizi-Bala ka thënë se nuk kanë një numër të saktë të rasteve të tilla që aktualisht janë duke u trajtuar nëpër Gjykata.
Një çështje tjetër e ngritur gjatë realizimit të hulumtimit ka qenë shkelja e konfidencialitetit nga ana e Policisë së Kosovës.