Ministria e Arsimit sot ka ndarë çmimet vjetore “Shkencëtari i vitit” dhe “Shkencëtari i ri i vitit” për vitin që shkoi.
Çmimi “Shkencëtari i vitit 2016” iu nda Kreshnik Hotit nga fusha e farmacisë dhe Shukri Klinakut nga fusha e fizikës, ndërsa çmimi “Shkencëtari i ri i vitit 2016”, iu nda Haki Jasharit për fushën e pediatrisë kardiologjike dhe Bujar Shabanit në fushën e anatomisë dhe antropologjisë mjekësore.
Ministri i Arsimit, Arsim Bajrami tha se ndarja e këtyre çmimeve është një stimulim për hulumtuesit e rinj nga universitetet publike, në mënyrë që të punohet më shumë në këtë aspekt sepse sipas tij, kjo do ndihmojë në rritjen e investimeve dhe fondeve në Kosovë.
Bajrami tha se Ministria është në përfundim të procesit përmes të cilit universitetet të cilat zhvillojnë komponentin kërkimor-shkencor do të marrin buxhet më të madh.
“Ky është një stimulim edhe një thirrje për gjithë hulumtuesit tonë për universitetet tona që të mbështesin punën kërkimore shkencore sepse një shtet i përparuar, një shtet i zhvilluar bazohet kryesisht në hulumtime dhe kërkime shkencore dhe ne duhet të punojmë shumë në rritjen e mbështetjes fillimisht në rritjen e investimeve, në rritjen e fondeve për punën kërkimore shkencore, në stimulimin e hulumtuesve të rinj. Padyshim se tradita jonë që për çdo vit të ndajmë çmimet ‘Shkencëtari i vitit’ dhe ‘Shkencëtari i ri i vitit’ është një përkujdesje simbolike, por është edhe një mirënjohje për profesorët, asistentët dhe hulumtuesit tonë për të arriturat e tyre dhe punën tonë kërkimore. Brenda skemës së financimit të universiteteve publike jemi në kërkim, jemi në përfundim të procesit, ne do të vendosim një sistem stimulativ për universitete tona, për ins titutet tona kërkimore në atë mënyrë që ato do të marrin buxhet më të madh në qoftë se e kanë të zhvilluar komponentin kërkimore shkencore”, tha Bajrami.
Shukri Klinaku, fituesi i çmimit “Shkencëtar i vitit 2016”, tha se sot është shpërblyer për punën e tij njëvjeçare në hulumtime shkencore në fushën e fizikës, gjegjësisht për lëvizjen relative apo relativitetin. Ai theksoi se, hulumtimet e tij do u ndihmojnë gjeneratave të reja në ristrukturimin e fizikës sepse sipas tij, fizika e sotshme nuk është në rrugë të duhur.
“Unë jam shpërblyer sot me çmimin shkencëtar i vitit për punën e vitit prej shtatorit të vitit 2015 deri në tetor të vitit 2016 në hulumtime shkencore. Unë studioj fushën e fizikës hulumtoj në fushën e fizikës. Fusha e ngushtë me të cilën unë merrem është lëvizja relative që njihet më shumë me emrin relativiteti dhe të gjitha punimet i kam në relativitet. Gjeneratave të ardhshme besoj që do t’iu ndihmoj mund të jetë shumë pretendim i madh, por unë e kam sublimuar punën time jo vetëm brenda këtij viti por tashmë mbi 20 vite dhe konsideroj që puna ime por edhe disa bashkëmendimtarëve nëpër botë do t’i ndihmoj shumë ristrukturimit të fizikës sepse konsideroj që ajo sot nuk është në rrugën më të mirë”, tha Klinaku.
Ndërsa, Haki Jashari, fitues i çmimit “Shkencëtar i ri i vitit 2016”, tha se ka një muaj që ka përfunduar doktoratën në fushën e pediatrisë-kardiologjike, në universitetin “Umea” të Suedisë, andaj edhe nga ai punim janë nxjerrë katër publikime shkencore, si dhe çmimi i sotëm. Ai shtoi se ky shpërblim është nder dhe motiv shtesë për të punuar më shumë për zhvillimin e shkencës në vendin tonë, mirëpo sipas Jasharit mbetet edhe shumë punë për t’u bërë.
“Para një muaji kam përfunduar doktoraturën në universitetin e Umea në Suedi edhe kryesisht puna që kam bërë atje ka qenë ajo që më ka shtyrë për me konkuru edhe me u zgjedh sivjet shkencëtari i ri i vitit. Në fushën e pediatrisë kardiologjike, ka qenë punimi im, tema ime e doktoraturës prej së cilës i kam nxjerrë katër publikime shkencore. Është një nder edhe motiv shtesë për të punuar edhe më shumë për shkencën e vendit tonë. Në punën e shkencës unë jam qe katër vite d.m.th. prej kur kam regjistruar doktoraturën, me krahasu me vitet e para, para tri-katër viteve tash është shumë më mirë por është fakt që ka ende shumë punë për t’u bërë”, tha Jashari.
Ndarja e çmimeve “Shkencëtar i vitit” dhe “Shkencëtar i ri i vitit” nga Ministria për Arsim, Shkencë dhe Teknologji tashmë është bërë traditë dhe kjo e gjitha për të rritur punën kërkimore të hulumtuesve shkencor vendor. /KP