Iniciuesit e mocionit për rrëzimin e Qeverisë po shprehen se ende e kanë përkrahjen e deputetëve të LDK-së. Shefja e Grupit Parlamentar të Nismës për Kosovën, Valdete Bajrami, thotë se pavarësisht propozimit që deputetët kundërshtues të LDK-së i kanë dhënë Mustafës, ata ende thonë se do ta votojnë mocionin për rrëzimin e kësaj Qeverie.
Ndonëse ka disa javë që partia opozitare Nisma ka filluar një mocion për rrëzimin e Qeverisë, i njëjti ende nuk është përfunduar. Zyrtarë të kësaj partie ende nuk kanë mundur që t’i mbledhin nënshkrimet e duhura për ta jetësuar në këtë mënyrë mocionin e nisur nga ta.
Shefja e Grupit Parlamentar të Nismës, Valdete Bajrami, ka thënë të martën për Express se tashmë mocioni është duke shkuar drejt fundit, dhe se sipas saj kanë mbetur vetëm një numër i vogël i deputetëve për ta nënshkruar atë. Bajrami deklaroi se për këtë mocion ende e kanë mbështetjen e deputetëve të LDK-së, pavarësisht se këta të fundit i kanë propozuar kryeministrit Mustafa një zgjidhje për të dalë nga kriza politike.
“Ne jemi duke punuar në këtë drejtim. Edhe sot isha në Kuvend, kështu që kërkoj një përkrahje më të madhe nga deputetët. Ne ende nuk mund t’i bëjmë emrat publikë, por shpresojmë që shumë shpejt ta procedojmë”, ka thënë Bajrami për Express.
Tutje ajo nuk ka dashur që të deklarohet lidhur me numrin se sa deputetë kanë dhënë nënshkrimet e tyre, por ka deklaruar që shumë shpejt i njëjti do të procedohet.
“Jemi vazhdimisht duke punuar në këtë drejtim, dhe shpresojmë që shumë shpejt të finalizohet kjo. Ajo aneks-marrëveshje që po mundohet që ta bëjmë nuk do të jetë e efektshme. Unë kam besim shumë të plotë në shumë kolegë të mi nga pozita, të cilët e kanë kritikuar. Ka deputetë të LDK-së që e përkrahin”, ka thënë ajo.