Aktuale

Bahtiri uron fituesen e çmimit ndërkombëtar për paqe

Kryetari i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka pritur sot Valdete Idrizin, fituese e çmimit Ndërkombëtar për Paqe “ The WIFTS Peace Award 2016”.

Bahtiri ka uruar Idrizin për çmimin e arritur,  duke thënë se ajo është një shembull dhe motiv për të rinjtë e Kosovës.

“Ju jeni motivi dhe  shembulli më i mirë, për shumë të rinjë se si duhet punuar në ndërtimin e paqes”, ka thënë Bahtiri.

Ndërsa, Idrizi ka njoftuar Bahtirin se çmimi ndërkombëtar për paqe “The WIFTS Peace Award 2016”, ndahet nga fondacioni me qendër në Londër, i cili promovon dedikimin me pasion, integritet edhe barazi.

“Jam e lumtur që nga shumë gra  të botës dhe nga të gjitha sferat e jetës, pata fatin të jem  fituese e këtij viti”, tha mes tjerash Idrizi.

Ndryshe, ky nuk është çmimi i parë i Valdete Idrizit.  Ajo edhe në të kaluarën ka marrë shumë çmime për përkushtimin e saj të treguar në ndërtimin e paqes, përfaqësimit të të drejtave  të njeriut, barazisë  gjinore dhe temave të tjera që e prokurojnë shoqërinë kosovare./KP