Aktuale

Bahtiri: Shëtitoren te ura e Ibrit e ndërton Komuna e Mitrovicës Veriore

Në takimin në mes të kryetarit të Mitrovicës, Agim Bahtiri, dhe shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Natalia Apostolova, komunikata për media tregon se kanë biseduar për situatën e përgjithshme në Mitrovicë, me theks të posaçëm për projektin e BE-së për urën dhe për marrëveshjen e fundit mbi planet e rivitalizmit të mëtejmë të zonës përreth saj.

Kryetari i Mitrovicë, Agim Bahtiri, ka thënë se punimet në shëtitoren, sipas marrëveshjes me BE-në, do ta ndërtojë komuna e Veriut në Mitrovicë, mirëpo do të mbikëqyret nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

Ambasadorja Apostolova fillimisht e ka falënderuar kryetarin Bahtiri për angazhimin dhe përkushtimin e tij për shtensionimin e situatës dhe ruajtjen e paqes pas ndërtimit të murit në cepin verior të urës kryesore mbi lumin Ibër, nga ana e autoriteteve të komunës së Mitrovicës së Veriut, si dhe për bashkëpunimin e tij të vazhdueshëm për të mirën e qytetit dhe qytetarëve të të gjitha përkatësive etnike, me kryetarin e Mitrovicës Veriore, Goran Rakiq.

Kryetari Bahtiri, pas takimit me ambasadoren Apostolova, tha se është njoftuar në detaje me projektin e BE-së për rivitalizimin e urës, i cili do të vazhdojë së realizuari në ditët në vijim pasi që koha po përmirësohet, paralelisht me projektin e shëtitores në pjesën veriore, pak metra më larg se ku ishte muri i ngritur në mënyrë joligjore.

Duke bërë të ditur se me ambasadoren Apostolova janë dakorduar që të gjitha problemet dhe mosmarrëveshjet eventuale të zgjidhen përmes dialogut, kryetari Bahtiri fton edhe me këtë rast qytetarët e komunës që të vazhdojnë të japin kontributin e tyre, sikur edhe deri tash, për ruajtjen e paqes dhe relaksimin e mëtutjeshëm të situatës së përgjithshme.

“Tani kur situata pas tensionimit për shkak të ngritjes së murit në mënyrë joligjore nga autoritetet e komunës në veri të Mitrovicës, sërish ka filluar të shtensionohet, mesazhi im është që të vazhdohet maturia, pjekuria dhe qetësia e treguar deri tash dhe që të mos lejohen forcat e errëta që të destabilizojnë situatën. Për përkushtimin tonë në këtë drejtim, kemi edhe garanci të forta nga Beja dhe SHBA-ja se projekti i rivitalizimit të urës do të realizohet patjetër ashtu sikur është paraparë dhe sa më shpejt”, tha kryetari Bahtiri. /GazetaExpress/