Qindra punëtorë të Administratës komunale të Mitrovicës, si dhe pjesëtarë të shoqërisë civile, kanë protestuar sot për 15 minuta para objektit të tyre kundër mbajtjes në paraburgim të drejtorit të Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Nehat Thaçi.
Ata kërkuan lirimin e tij të menjëhershëm nga burgu i Nishit të Serbisë.
Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, tha se drejtori Thaçi, i cili po mbahet padrejtësisht në burg, duhet të lirohet menjëherë, derisa ka sugjeruar edhe ndërprerjen e bisedimeve mes Prishtinës dhe Beogradit në Bruksel.
“Kërkesa jonë është që të bëjmë presion mbi Beogradin, organet shtetërore të Kosovës, por edhe ndërkombëtare, që sa më parë ta lirojnë drejtorin tonë, i cili ka dhënë një kontribut të veçantë për regjionin e Mitrovicës. Kërkesa e dytë është se kërkojmë nga qeveria e Kosovës që të ndërpresë dialogun me Serbinë, derisa nuk lirohet drejtori regjional i policisë në Mitrovicë…Sot është vetëm kjo protestë, krejtësisht nga njerëzit që punojnë në Komunë, por nëse nuk ndodhë lirimi i tij, do të bëhet një protestë e fuqishme”, ka thënë Bahtiri.
Ndryshe, drejtori i Policisë, Nehat Thaçi, u arrestua të mërkurën e kaluar në hyrje të Serbisë nga pika kufitare “Dheu i Bardhë”, pas një urdhëri të lëshuar nga Gjykata e Lartë në Nish të Serbisë, nën akuzën se ka kryer terrorizëm. /KP