Kryetari i Komunës, Agim Bahtiri, e dënon ashpër incidentin që ka ndodhur gjatë natës së mbrëmshme, si dhe disa incidente ndëretnike të ditëve të fundit, që kanë ndodhur në të dyja pjesët e qytetit e Mitrovicës, ku viktima kanë qenë si serbët, ashtu edhe shqiptarët, njofton kumtesa komunale. Sot, kryetari i Veriut të Mitrovicës, Goran Rakiq, kishte kërkuar ndërprerjen e këtyre punimeve për shkak të sigurisë së qytetarëve serbë që jetojnë në atë zonë.
“Incidentet ndëretnike të ditëve të fundit, pavarësisht cilat janë motivet e tyre, janë të papranueshme, andaj edhe i dënoj ashpër dhe kërkoj reagimin sa më të shpejtë të organeve të hetuesisë, me qëllim që të zbulohen shkaktarët dhe të vendosen para organeve të drejtësisë, për të marrë dënimin e merituar, sepse vetëm në këtë mënyrë mund të ndërpriten ato”, thotë kryetari Bahtiri.
Sipas tij, këto incidente po ndodhin në kohën kur në qytetin e Mitrovicës situata e përgjithshme është e qetë, kur përmirësimi i marrëdhënieve ndëretnike është duke shkuar mirë, kur lëvizja dhe qarkullimi i njerëzve dhe automjeteve po zhvillohet pa probleme në të dyja anët e lumit Ibër, kur punimet për rivitalizimin e urës po vazhdojnë pa pengesa.
Bahtiri vlerëson se është e panevojshme, e papranueshme dhe madje e dëmshme ftesa për ndërprerjen e punimeve për rivitalizimin e urës kryesore mbi Ibër. Përkundrazi, shton ai, intensifikimi i punëve dhe inaugurimi në afatin e paraparë të urës, do të ndikojë në relaksimin e mëtutjeshëm të gjendjes dhe raporteve ndërmjet qytetarëve të të dyja komunave të Mitrovicës.