Mekanizmi i ri që pritet të vendosë Komisioni Europian në fillim të 2017-s për lëvizjen e lirë të qytetarëve, pritet të sjellë penalizim për Shqipërinë dhe qytetarët e saj.
Bazuar në raportin vjetor të FRONTEX-it, Agjencisë së Bashkimit Europian për monitorimin e kufijve të tij të jashtëm, numri i shqiptarëve që kanë thyer rregullat e BE-së vjen në rritje.
Sipas raportit të FRONTEX-it, bazuar në të dhënat e Europian Asylum Support Office, 96% të totalit të refuzimeve të kërkesave për azil në vendet e BE-së gjatë periudhës janar-gusht 2015 e përbënin shtetasit shqiptarë.
Ndërsa në Mbretërinë e Bashkuar rastet e konstatimit të personave me dokumente false është rritur në masën 70% nga viti 2014 në vitin 2015. Ky trend i atribuohet numrit në rritje të shtetasve shqiptarë që përdorin shpesh në mënyrë abuzive karta identiteti greke dhe italiane.
Ndërkohë që Shqipëria bën përpjekje për të plotësuar 5 prioritetet që kërkon Këshilli Europian, por sidomos nisjen e zbatimit të ligjit të vetingut, situata e shqiptarëve në vendet e BE-së dhe përballë rregullave të pranuara për lëvizjen e lirë jep një tjetër pamje.
Në 2014-n, numri i shqiptarëve të kapur në vendet e BE-së me qëndrim të parregullt ishte 21.177, raporton “Panorama”.
Ndërsa trendi vjen në rritje. Sipas FRONTEX-it, në 2015-n, në vendet e Bashkimit Europian janë kapur 28.485 shtetas shqiptarë me qëndrim të parregullt. Pak më shumë se 7 mijë më shumë se vitin e kaluar 2014.
LIBERALIZIMI
Rezultati që solli për shqiptarët liberalizimi i vizave dhe lëvizja e lirë ishte domethënës. Një vit para heqjes së vizave ishin plot 32.592 qytetarë shqiptarë që kaluan kufirin në mënyrë ilegale.
Një vit më pas, pra në fundin e vitit 2010, kur filloi lëvizja e liberalizuar, numri i tyre ra në 5138. Por sot, pesë vjet pas liberalizimit të vizave, numri i personave të kapur gjatë kalimit ilegal të kufirit është rritur në 9450, pra pak më shumë se 4 mijë se në vitin 2011.
FRONTEX-i këtë migracion e quan qarkullues në kufirin me Greqinë. Sipas të dhënave, shumica dërrmuese janë punëtorë sezonalë. Por Shqipëria mbetet i vetmi vend në Europë që ka ende emigracion ilegal.
Asnjë nga vendet e Ballkanit Perëndimor nuk bën pjesë në top dhjetëshen e parë të shteteve me shtetas të kapur me qëndrim ilegal në vendet e BE-së. Ky numër kaq i lartë përbën një rrezik për imazhin e Shqipërisë para vendeve të BE-së që duhet të pranojnë Shqipërinë t’u afrohet sa më shumë atyre.