Aktuale

AVUK premton ndërprerjen e importit të vezëve

Shoqata e Shpezëtarëve të Kosovës janë pajtuar me Agjencionin e Veterinës dhe Ushqimit të Kosovës për ndërprerjen e importit të vezëve nga Shqipëria. Kjo marrëveshja është arritur pas protestës që fermerët kanë mbajtur sot para objektit të AVUK-ut.

Kryetari i Shoqatës së Shpezëtarëve të Kosovës, Sabit Rama  tha se gjatë takimit me zëvendëskryeshef të AVUK-ut Naser Krasniqi  kanë arritur një marrëveshje me qëllim të ndërprerjes së importit të vezëve nga Shqipëria.

Më tej ai shtoi se pas arritjes së kësaj marrëveshje nuk do ta realizojnë planin për hedhjen e vezëve që ishte paraparë të ndodh në këtë protestë.

 

“Na premtoi që do të marrin të gjitha masat dhe nuk do të bëhet import të vezëve, tash na po presim…se na qëllimin e kemi pasur për protestë dhe me i gjuajtur  vezët se nuk kemi ku i çojmë, jemi zatet për shpirti por tash ne nuk kemi nevojë se na premtoi.”, tha a Rama.

Ai ka thënë se nëse nuk mbahet  ky premtim do të vazhdojnë me protesta deri në arritjen e qëllimeve të shpezëtarëve.

 

“Ne nuk do të ndalemi deri sa t’i kemi të drejtat tona sepse nuk është e mundshme që 27 euro me u shit një pako vezë atje, këtu me ardhur me 11 euro. Kjo në botë nuk ekziston, vetëm në Kosovë ekziston kjo punë“, shtoi Rama.

Ndërkaq fermeri, Sylejman Konushevci tha se nëse nuk mbahet premtimi i dhënë protestat do të jenë më radikale dhe do t’i bllokojnë rrugët.

“Ne do të fillojmë me protesta, protestat kanë me qenë radikale, kemi me i bllokuar rrugët tjetër nuk na ka mbetur, ne këta janë duke na shkatërruar pasi këta po na shkatërrojnë edhe ne kemi me bo çmos që me i shkatërruar mos me e lënë asnjë import prej tjerave shtete, pa marr parasysh a prej Shqipërie a prej Serbie, a prej Bullgarie, a prej Maqedonie. Neve nuk na mbetet tjetër me potencialin që e kemi çdo fermer kemi me dal në rrugë dhe kemi me kundërshtuar atë import”, tha Konushevci.

Pjesë e kësaj proteste ishin edhe anëtarët e Bordit të Shoqatës së Shpezëtarëve të Kosovës të  cilët u deklaruan  se kanë kapacitet të mbulojnë tregun vendor me vezë  për 100 përqind.

Protestuesit u ankuan se me këto mallra po shkatërrohet ekonomia e Kosovës,  ndërsa institucionet e Kosovës po thirren në marrëveshjen e CEFTA-s me vezë industriale.

Ditë më parë shpezëtarët kanë protestuar para AVUK-ut me të njëjtat kërkesa./kp