Aktuale

Avokati Tomë Gashi: Astrit Dehari është vrarë

Avokati i Familjes Dehari, Tomë Gashi, ka prezantuar sot raportin e mjekëve të pavarur ligjorë, Besim Ymaj nga Shqipëria dhe Besim Latifaj nga Anglia, që kanë marrë pjesë si vëzhgues në autopsinë e trupit të Astrit Deharit. Në raport thuhet se Dehari ka vdekur si pasojë e asfiksisë dhe se vdekja e tij është e dhunshme.

Pavarësisht se ekspertët e pavarur nuk kanë ardhur në një përfundim të tillë, Tomë Gashi ka thënë se Astrit Dehari është vrarë e nuk ka kryer vetëvrasje, ashtu siç ka konkluduar Prokuroria.

“Prokurorët e kanë keqpërdorur detyrën zyrtare, pasi e kanë publikuar një raport mashtrues, ku janë caktuar shkaqet e vdekjes së Astrit Deharit, të cilën e kanë konisderuar vetëvrasje. Prokurori e ka përdorur këtë raport ku renditen 4 pika me shkaqet që kanë çuar në vetëvrasjën e Deharit, për ta justifikuar atë që e ka thënë më herët, që Astrit Dehari ka bërë vetëvrasje. Në raportin e dytë këto 4 pika nuk ekzistojnë”, ka thënë Gashi.

Mirëpo, raporti i ekspertëve të familjes Dehari për vdekjen e Astrit Deharit, ku janë të përfshira edhe dokumentet e marra nga Prokuroria dhe qendra e paraburgimit, tregon se rasti ka të bëjë me lëndime trupore, të cilat janë klasifikuar si shenja vetëmbrojtëse.

“Ekspertët mjeko-ligjor të familjes Dehari kanë siguruar nga Prokuroria Themelore në Prizren raporte tjera, deklarata të përgjegjësve të sigurisë së burgut, të anëtarëve tjerë të dhomës së Deharit, pra janë mbi 50 deklarata. Krejtësisht të kundërtën e kanë thënë ekspertët e pavarur, në përfundimin e tyre”.

“Rastin konkret ata e kanë konsideruar që kemi të bëjmë me lëndime vetëmbrojtëse, të cilat na çojnë në përfundimin logjik se kemi të bëjmë me vrasje dhe jo vetëvrasje”, ka thënë Gashi. /GazetaExpress/