Aktuale

Avokati i Popullit mirëpret vendimin e Prokurorisë për lejimin e mjekëve të pavarur gjatë autopsisë së Astrit Deharit

Institucioni i Avokatit të Popullit, nëpërmjet një komunikate ka bërë të ditur se ky institucion mbrëmë ka pranuar kërkesën e familjes së Astrit Deharit tashmë të ndjerë lidhur me prezencën e mjekëve të caktuar nga vet familja për t’i kryer autopsinë djalit të tyre, transmeton Gazeta Express.

IAP ka bërë të ditur se nesër gjatë ditës do t’i bëhet autopsia Astrit Deharit.,

“Përfaqësuesit e Avokatit të Popullit, gjatë paradites së sotme, kanë kontaktuar Prokurorinë Themelore në Prizren lidhur me kërkesën e familjes Dehari dhe kanë marrë konfirmimin se do të lejohet prania e mjekëve të caktuar nga familja gjatë autopsisë, gjë që pritet të bëhet gjatë ditës së nesërme! Avokati i Popullit e ka mirëpritur vendimin e Prokurorit, që të marrë parasysh kërkesën e familjes”, thuhet në njoftimin e Avokatit të Popullit.

Njoftim i plotë i IAP:

Prishtinë, më 6  nëntor 2016 – Në orët e vona të mbrëmjes së djeshme, Institucioni i Avokatit të Popullit (IAP) ka pranuar kërkesën e familjes Dehari, lidhur me prezencën e mjekëve të caktuar nga familja, gjatë procesit të autopsisë të birit të tyre A.D., i cili mbahej i paraburgosur në Qendrën e Paraburgimit në Prizren.

Kërkesa është drejtuar duke pasur për bazë faktin se në kuadër të IAP-së, funksionon, si një strukturë e veçantë, Mekanizmi Kombëtar për Parandalimin e Torturës dhe trajtimeve e ndëshkimeve të tjera mizore, jonjerëzore dhe poshtëruese (MKPT), i cili ka për mandat të kryejë inspektime në vendet ku mbahen personat e privuar nga liria, në pajtim me Protokollin Opsional të Konventës kundër Torturës (OPCAT).

Përfaqësuesit e Avokatit të Popullit, gjatë paraditës së sotme, kanë kontaktuar Prokurorinë Themelore në Prizren lidhur me kërkesën e familjes Dehari dhe kanë marrë konfirmimin se do të lejohet prania e mjekëve të caktuar nga familja gjatë autopsisë, gjë që pritet të bëhet gjatë ditës së nesërme! Avokati i Popullit e ka mirëpritur vendimin e Prokurorit, që të marrë parasysh kërkesën e familjes.

Avokati i Popullit shpreh keqardhjen e thellë për humbjen e jetës së A.D. dhe njëkohësisht bën thirrje për maturi dhe vetëpërmbajtje nga komentet e ngutshme, jo kompetente dhe kontradiktore. Po ashtu u bën thirrje mediave dhe secilit, që, në një apo tjetrën mënyrë, e kanë mundësinë e plasimit të fjalës publike, të respektojnë dhimbjen e familjes me rastin e humbjes së birit të tyre dhe të lejojnë që një hetim profesional dhe i pavarur  të zbardh të vërtetën mbi humbjen e jetës së A.D./GazetaExpress/