Aktuale

Avdullah Hoti: Marrëveshja me Serbinë mund të ndodhë brenda 3 muajsh

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka folur lidhur me heqjen e reciprocitetit.Ai ka pohuar se po keqinterpretohet heqja e taksës.“Unë mendoj se po keqinterpretohet. Jemi kthyer në situatën kur tregtia bazohet në marrëveshjet e Brukselit. Me vendimet e të shtunës jemi kthyer në situatën përpara taksës.”, tha Hoti.

Hoti në Rubikon ka thënë gjithashtu se Serbia nuk i respekton marrëveshjet e Brukselit për tregti, por sipas tij, dialogu ka arritur në pikën ku Serbisë do t’i thuhet “mjaft është mjaft”, dialogu duhet të përfundojë me njohje.“Në plot situata, Serbia nuk i respekton marrëveshjet e Brukselit, por ne jemi qeveri e kujdesshme dhe kemi marrëveshje me partnerët tanë. Ne jemi këtu për shkak të marrëveshjes së tyre. Perceptimi im është se kemi dialoguar nga viti 2011 dhe tani jemi në një situatë specifike dhe ngadalë po shkohet në pikën kur me mbështetjen e ndërkombëtareve ku mund t’i thuhet Serbisë mjaft është mjaft dhe dialogu të përfundojë me njohje reciproke. Me vendimin për reciprocitetin e kemi vendosur Kosovën në pozitë më të favorshme në dialog dhe ndaj partnerëve tanë”, tha Hoti.Hoti gjithashtu ka thënë se ndërkombëtarët kanë këshilluar të hiqen barrierat dhe është shprehur se marrëveshja me Serbinë mund të ndodh brenda 3 muajsh.

“Këshilla e miqve ndërkombëtar ka qenë të hiqen barrierat për dialogun për një kohë të arsyeshme. Ne e kemi marrë këtë hap për t’i dhënë shancë dialogut dhe nëse brenda një afati të arsyeshëm, që mund të themi është çështje javësh ose muajsh, mund të kthehet reciprociteti”, tha Hoti.

the authorGazetaKNN