Para votimit të marrëveshje për demarkacionin me Malin e Zi, Lidhja Demokratike e Kosovë vazhdimisht kishte kërkuar që vendi të shkojë në zgjedhje të reja si kusht për ta votuar atë marrëveshje. Megjithatë demarkacioni u ratifikua, e partia e udhëhequr nga Isa Mustafa vazhdon ende të kërkojë zgjedhje të reja.
Shefi i deputetëve të kësaj partie, Avdullah Hoti, thotë se zgjedhjet janë të nevojshme për të ndalë dëmin që qeveria Haradinaj po i bën Kosovës.
“Zgjedhjet janë të domosdoshme për të ndalur këtë dëm që po i bëhet shtetit të Kosovës”, ka shkruar ai, raporton Gazeta Express.
Sipas zyrtari të LDK’së, koalicioni tre partiak që po udhëheq me qeverinë po e rrezikon çdo gjë që Kosova ka arritur deri më sot.
“Koalicioni PAN duhet të ndalet. Nuk ka orientim shtet ndërtues, por ka unitet vetëm për të mbetur në pushtet. Ky koalicion po rrezikon çdo gjë që kemi arritur deri më sot”, ka shtuar ai.
Për deputetin e LDK-së me këtë qeverisje po kthehet perceptimi se Kosova është një vend me korrupsion në rritje./GazetaExpress/