Aktuale

Autoritetet e Konkurrrencës të Kosovës dhe Shqipërisë shkëmbejnë përvojat mes vete

Autoriteti Kosovar i Konkurrencës ka pritur në takim Autoritetin e Konkurrencës së Shqipërisë, për të diskutuar rreth çështjeve të ndryshme të cilat po i preokupojnë institucionet e konkurrencës.

Kryetari i Autoritetit të Konkurrencës, Valon Prestreshi, në një konferencë për media tha se gjatë takimit të sotëm që do të zhvillohet deri në fund të ditës, do të trajtojnë elemente të rëndësishme të cilat ndërlidhen ekskluzivisht me fushë veprimtarinë e konkurrencës.

Madje ai ka theksuar se pas përfundimit të takimit do të dalin me raporte të përbashkëta  të cilat kanë të bëjnë me përafrimin e legjislacionit sekondar si dhe me hartimin e një plani të aktiviteteve,  të cilat tha se do të shërbejnë si urë lidhëse ndërinstitucionale.

 

“Në fund të ditës do të dalim me raporte konkrete, në aspektin e përafrimit të legjislacionit tonë sekondar dhe hartimin e një plani të aktivitetit i cili do të shërbejë si urë lidhëse ndërinstitucionale po ashtu do të shërbejë edhe si plan program i autoritetit kosovar  të konkurrencës”, tha Prestreshi.

Me ç’rast Prestreshi gjithashtu tha se do të shkëmbejnë përvojat e tyre edhe në aspektin e lëndëve të cilat potencialisht janë të njëjtë e që kanë të bëjnë edhe me çrregullime te konkurrencës, e të gjitha këto sipas Prestreshit që të përafrohen përvojat e të dy autoriteteve të konkurrencës për aspektin e strategjisë hetimore.

 

“Do t’i shkëmbejmë përvojat tona edhe në aspektin e lëndëve, të cilat janë potencialisht të njëjta që kanë të bëjnë me çrregullimet e konkurrencës me kusht që t’i përafrojmë përvojat tona në aspektin e strategjisë hetimore po ashtu ne do të trajtojmë edhe përvetësimin e memorandumit të mirëkuptimit që e kemi. Dhe trajtimi i bashkëpunimeve tjera sistematike të cilat do të kenë karakter reciprok”, tregoi Prestreshi.

Kurse, kryetarja e Autoritetitt të Konkurrencës së Shqipërisë, Lindita Milo-Lati, tha se Komisioni i ri i Konkurrencës është i rëndësishëm për institucionet e konkurrencës e që garanton lirinë e tregut si një liri e domosdoshme etike për demokracitë.

Ajo ka shtuar më tej se janë në Kosovë, për të treguar se tregu është i përbashkët, dhe se ky bashkëpunimi duhet të marr një model  më të përforcuar.

 

“Jemi këtu për të thënë se tregu jonë është një treg i përbashkët, ky bashkëpunim padyshim duhet të marr një format më të përforcuar akoma edhe më tepër në plotësimin e standardeve. Ne do të jemi krah për krah jo vetëm në këtë prezantim, por edhe në realizimin e investigimeve dhe shqetësimet e tregjeve transmetojnë ato shkëmbime të konkurrencës të cilat çojnë në uljen e mirëqenies së konsumatorit”, tha Milo- Lati./KP