Komuna e Prishtinës sot ka nënshkruar kontratën me kompaninë fituese “Iveco Czech Republic” për furnizimin me autobusë në Trafikun Urban.
51 autobusët e rinj dhe modern pritet të zbarkojnë në Prishtinë para Vitit të Ri.
Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti gjatë ceremonisë së nënshkrimit theksoi se procesi i stërzgjatur i projektit për autobusët po finalizohet sot. Sipas tij, me këtë autobusë të rinj do të bëhet transformimi radikal i transportit publik dhe Trafikut Urban në komunën e Prishtinës.
Ahmeti tha se autobusët “Iveco” janë të standardit Euro 6 që është një standard modern për sa i përket ndotjes së ambientit.
“E kemi thënë që 51 autobusët e rinj do ta mundësojnë transformimin radikal të transportit publik dhe Trafikut Urban në komunën e Prishtinës. Me ç ‘rast dua t’i potencoi disa gjëra dhe përse është i mirë ky investim. E para është që ti kthejmë sa më shumë njerëz kah transporti publik, në vend se t’i kemi 50 makina të cilat me 50 vozitës mund t’i zëvendësojmë me një autobusë. Ne me këtë zvogëlojmë edhe ndotjen e ambientit, zvogëlojmë trafikun e madh dhe problemet që i kemi. Po ashtu mundësojmë një transport më modern të qytetarëve. E dytë është tepër me rëndësi që kemi një investim të një institucioni financiar ndërkombëtarë me renome”, tha Ahmeti.
Për ta realizuar këtë iniciativë, komuna e Prishtinës në emër të Trafikut Urban ka kërkuar hua nga Banka për Rindërtim dhe Zhvillim në vlerë mbi 10 milionë euro. Ndërkaq, marrëveshjen për garanci shtetërore, e cila garanton kredinë, ishte nënshkruar edhe nga e Qeverisë së Kosovës dhe është miratuar nga Kuvendi.
Ahmeti tha se i gjithë projekti është rreth 13 milionë euro, 10 milionë euro janë pjesë e huas kurse pjesa tjetër do të paguhet nga komuna për tarifën e TVSh-së. Kushtet e kamatës sipas tij janë mjaft të volitshme.
Komuna e Prishtinës, sipas Ahmetit me këto grante do të reformojë Trafikun Urban, ku do të bëjë edhe mobilitetin deri në paraverën e ardhshme. Për këtë, komuna ka angazhuar kompaninë angleze “Mot-macdonold”.
“Me këto grante ne do ta reformojmë kompaninë e Trafikut e Urban, ku do ta bëjmë edhe planin e mobilitetit të komunës së Prishtinës. Për këtë është angazhuar kompania angleze “Mot-macdonold”, e cila deri në pranverë të vitit të ardhshëm duhet ta bëjë planin e ri të mobilitetit… me ç ‘rast do të definohet transporti publik, transporti për makina, transporti për çiklizëm, për këmbësorë dhe analiza e lëvizjes së qytetarëve në komunën e Prishtinës për definimin e linjave në rast se ka nevojë”, tha ai.
Menxhari i kompanisë “Iveco Czech Republic” për Ballkan, Jiri Shkerilk, pas nënshkrimit të kontratës u shpreh i lumtur që kjo kompani është pjesë e këtij projekti dhe është i sigurt se partneriteti me Trafikun Urban do të jetë i qëndrueshëm.
“Jam i lumtur që jam pjesë e këtij projekti. Ne do të bashkëpunojmë me kompaninë e Trafikut Urban dhe Komunën e Prishtinës. Jemi të sigurt që ky bashkëpunim do të hapë dyert për bashkëpunime të tjera në të ardhmen, po ashtu do të doja t’ua përcjellja përshëndetjet nga bordi ynë dhe le të shpresojmë për një bashkëpunim sa më efikas, për të cilin jam i sigurt se do ta përmirësojë trafikun tuaj urban dhe do ta lehtësojë jetën e qytetarëve tuaj. Dhe jam i sigurt se do jemi partneri juaj për një trafik urban të qëndrueshëm”, tha Shkerilk.
Kryeshefi ekzekutiv i Ndërmarrjes Trafiku Urban, Halil Mustafa tha se kjo kompani dhe punëtorët e saj sot kanë festë, meqë po arrihet të realizohet ky projekt i stërzgjatur. Ai tha se ky projekt ka qenë buzë shkatërrimit, por megjithatë sot po e firmoset.
“Realisht kemi pasur ngërçe mjaft afatgjate, pastaj kemi pasur fërkime duke filluar prej nivelit më të lartë deri në nivele lokale. Mirëpo megjithatë kemi pasur një inercion shumë të madh për t’u realizuar ky projekt. Kështu që mund t’ju them se Trafiku urban sot ka festë . I falënderoj të gjithë pjesëmarrësit që në as një mënyrë nuk është lënë hapësirë që të dështoj ky projekt… vërtet ky projekt ka qenë buzë shkatërrimit, por megjithatë sot po e firmosim dhe po ecim më tutje”, theksoi Mustafa.
Ndryshe, ky projekt është njëri ndër premtimet e dhëna gjatë marrjes së mandatit Shpend Ahmeti për të parin e Prishtinës.




















