Sipas Byrosë së Meteorologjisë, Australia ka kaluar nëpër verën më të nxehtë që është shënuar ndonjëherë. Qindra rekorde lokale janë thyer në mbarë vendin gjatë tre muajve të kaluar.
Temperatura mesatare ka qenë 2.1 gradë më e lartë se mesatarja e një periudhe të gjatë kohore. Moti i jashtëzakonshëm ka shkaktuar zjarre në natyrë, ndërprerje të energjisë elektrike dhe rritje të numrit të personave që janë trajtuar nëpër spitale.
Përpos njerëzve, pasojat e temperaturave jashtëzakonisht të larta i kanë përjetuar edhe kafshët. Autoritetet kanë raportuar për ngordhje masive të kuajve, lakuriqëve dhe peshqve për shkak të thatësirës së madhe.
Temperaturat e regjistruara gjatë kësaj vere kanë qenë mesatarisht për 1 gradë më të larta sesa në verën e vitit 2013, kur ishte thyer rekordi i mëparshëm. Gjatë kësaj kohe, muaji janar ka qenë më i nxehti në histori të vendit, ndërsa rekorde janë shënuar në pesë ditë të ndryshme.
Të gjitha pjesët e Australisë kanë qenë të prekura nga vapa, por temperaturat më të larta janë shënuar në Australinë Jugore, Viktoria dhe në New South Wales, shkruan “BBC”, transmeton Gazeta Express.