Aktuale

Auditori ka gjetur shumë parregullsi në MASHT

Ministria e Arsimit nuk pati performancë të mirë buxhetore, në vitin 2016. Këtë konstatim e ka nxjerrë raporti i Auditorit të Përgjithshëm, duke shpjeguar se koncentrimi i shpenzimeve ishte në pjesën e fundit të vitit, ku 46% e buxhetit total është shpenzuar në tremujorin e fundit.

Një ndër arsyet e shpenzimeve në fundvit ishte blerja e librave, që është realizuar pas shtatorit.

Po ashtu, auditori ka gjetur keq-klasifikim të shpenzimeve të bëra nga kjo ministri, ku shuma prej rreth 75 mijë eurosh e planifikuar për investimet kapitale, për inventar dhe pajisje të tjera, është realizuar nga mallrat dhe shërbimet.

17 pozita në Ministrinë e Arsimit, vitin e kaluar, ishin udhëhequr nga Ushtrues Detyre në kohëzgjatje për më shumë se një vit, përfshirë këtu edhe Sekretarin e Përgjithshëm të këtij institucioni.

Zyra për Informim e Ministrisë së Arsimit ka reaguar pas publikimeve të shkrimeve të ndryshme në media, duke iu referuar auditorit.

Kjo ministri e shfajëson veten nga gjetjet për universitete publike, duke thënë se është në përgjegjësinë e vet menaxhmentit.