Aktuale

ATK kërkon ofrimin e shërbimeve kualitative për tatimpaguesit

Administrata Tatimore e Kosovës është e përkushtuar në trajtimin e barabartë të të gjithë tatimpaguesve, në mënyrë që të krijojë kushte më të mira për zhvillimin e biznesit në Kosovë.

Kështu ka deklaruar drejtori i Përgjithshëm i ATK-së, Sakip Imeri, gjatë një vizite që i bëri Zyrës rajonale të ATK-së në Ferizaj.

Ai me këtë rast kërkoi angazhim të vazhdueshëm, me qëllim të ofrimit të shërbimeve kualitative për tatimpaguesit dhe përmbushjes së objektivave të parapara për këtë vit.

Ndër të tjera, ai porositi zyrtarët e ATK-së, se efikasiteti dhe angazhimi i pandërprerë, janë mënyrat e vetme që kontribuojnë në ndërtimin e shtetit dhe ngritjen e standardeve jetësore të popullit të Kosovës.

Ndryshe, këto vizita po realizohen në kuadër të planifikimit të vizitave nëpër zyrat regjionale të ATK-së, me qëllim të analizimit të punës dhe mundësisë së ngritjes së efikasitetit të kontrollit/ rimbursimeve tatimore.