Aktuale

“Asociacioni të formohet sipas ligjeve të Kosovës”: Vuçiqi reagon ashpër ndaj BE-së

Deklarata e zëdhënëses së BE-së, Maja Kocijancic e cila tha se Asociacioni duhet të formohet sipas ligjeve të Kosovës, ka shkaktuar reagime të ashpra në Serbi.

Pas Marko Gjuriqit, së fundi ka reaguar edhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.

Shefi i shtetit serb tha se Asociacioni duhet të formohet sipas marrëveshjes në Bruksel, duke kritikuar ashpër BE-në.

“Le të na tregojë BE-ja se ku thotë në marrëveshje që duhet të formohet sipas ligjeve në Kosovë”, tha Vuçiq, transmeton lajmi.net

Madje, Vuçiqi thotë se e dinë përmendësh marrëveshjen e Brukselit, duke theksuar se nuk ka ndonjë tekst të tillë.

“Unë dua që të na tregojnë se ku thotë në marrëveshje ashtu, sepse unë e di përmendësh marrëveshjen e Brukselit, ju e keni edhe në faqen e qeverisë”, tha presidenti serb në RTS.

Vuçiq tha se me këtë rast u dëshmua edhe një herë se sa të vështira janë bisedimet me Kosovën.

“E vetmja gjë e mirë këtu është që t’iu tregojmë njerëzve se negociatat në Bruksel janë shumë të vështira”, tha presidenti serb.

Ndryshe, në deklaratën e saj për Tanjug, Maja Kocijancic tha “se Ascoiacioni duhet të formohet vetëm sipas ligjeve të Kosovë”.

Kosova ka katër muaj afat që ta përfundojë hartimin e statutit për këtë marrëveshje. /Lajmi.net/