Arsim & Kulturë

Artisti kosovar zbërthen konceptin e vëllazërisë në Split

“Brotherhood” (Vëllazëria) paraqet pozicionin artistik të shoqërive moderne në kontekstin gjeopolitik. Me këtë projekt artisti kosovar, Alban Muja, është ndalur në Split të Kroacisë.

Në ekspozitën e hapur të enjten mbrëma në galerinë e qytetit, Muja nëpërmjet imazheve të ndërtesave shpërfaq traditën mashkullore që manifestohet me simbolikën e shtëpive, ku të gjithë vëllezërit me shtëpi të njëjtë formojnë një lagje. Është një varg punimesh që shpërfaqin një realitet kosovar.

“Tregohet fenomeni i fuqisë mashkullore dhe rëndësia e figurës së babait, dhe, në anën tjetër, projekti tenton të shpërfaqë figurën e femrës që nuk përfshihet në shoqëri. Ky fenomen nuk është i ri dhe tregon traditën e trashëguar në gjenerata”, është përshkrimi që i bën projektit Tevz Logar, kurator në galerinë “Škuc” të Lubjanës, e i njëjti zbërthim është paraqitur edhe në uebfaqen e kësaj Galerie të Splitit, që funksionon në kuadër të Muzeut të Arteve të Bukura, i themeluar më 1931.

Artisti i kthehet Kroacisë pas një viti. Më 2015 pas ekspozitës personale në Zagreb, rrugëtimin do ta vazhdonte në Rijekë. Në Institutin për Art Bashkëkohor të Zagrebit ai ishte prezantuar me punime nga tetë projekte të mediumeve të ndryshme.