Arsim & Kulturë

Artan Haraqija mbajti ligjëratë për studentët e gazetarisë në AAB me temën “Raportimi i mediave në temën e ekstremizmit”

Në kuadër të fushatës “United for Peace” e cila ka për qëllim kundërshtimin e ekstremizmit fetar, gazetari Artan Haraqija mbajti një ligjëratë për studentët e Fakultetit të Komunikimit Masiv dhe Gazetariasë me temën “Raportimi i mediave në temën e ekstremizmit”.

Gazetari Haraqija filloi këtë ligjëratë duke u thënë studentëve se ata që duan të merren me gazetari, nuk duhet me pasë barriera ndaj asnjë gjëje tjetër, ndaj asnjë deklarimi që mund ta prekin interesin e pushtetit të vet.

“Një shoqëri normale është ajo që e pranon tjetrin me qenë tjetër prej vetvetes. Ajo çka ne duhet me luftu tërë jetën si gazetarë, është misioni i jonë, që është me e kthy në normalitet se jemi të ndryshëm prej të tjerëve”, tha Haraqia.

Ai u shpjegoi studentëve se gazetarët duhet të bëjnë gazetari hulumtuese, ne rast se shohin një temë që ka interes publik, të fillojnë që të merrën me të, të sjellin fakte dhe argumente për ngjarjen, por vazhdon ai, gazetarët nuk mund ta bëjnë zgjidhjen, pasiqë atë e bëjnë autoritetet përkatëse.

“Ne plotë herë, edhe kur kemi raportu për korrupsion, ankesa kryesore është se pse ne s’po bëjmë kurgjo. Fuqia e jonë fillon dhe përfundon me shkronja, nuk kemi pushtet prokurorie e as gjykate me thanë ‘po, ka shkelje në punën e një tenderi dhe me thanë hajde ta shtim këtë në burg këtë’. E jona është me hulmutu, me gjetë fakte, me e respektu kodin e etikës, personin që e përmendim, me ba luftë me ja ofru mundësinë që edhe ai apo ajo me dhanë deklaratë për temën që po merret më të, qoftë negative apo pozitive, dhe këtu përfundon puna e jonë”, u tha studentëve të AAB-së, gazetari Artan Haraqija.

Ai në këtë ligjëratë foli edhe përvojat e ndryshme që ka pasur gjatë hulumtimit të temave të ndryshme, duke u treguar për sfidat me të cilat është ballafaqur e deri te rreziqet dhe kërcënimet.

Ne fund të kësaj ligjerate u mbajt edhe një debat, ku studentët e Komunikimit Masiv dhe Gazetarisë bënë pyetje si dhe dhanë opinionet e tyre qofshin pozitive apo negative për raportimin në media në temën e ekstremizmit fetarë në vend.

Artan Haraqija është një gazetar që ka përvojë të gjatë në gazetarinë hulumtuese. Ai ka punuar në disa media në Kosovë ku ka hulumtuar tema të ndryshme si korrupsionin, krimin e organizuar, problemet në sektorë të ndryshme, si dhe kohëve të fundit ka raportuar mbi temat rreth ekstremizmit fetar.