Aktuale

Arsyetimi i PAN-it për mospjesëmarrje në seancë, kritikat nga kundërshtarët politik

Koalicioni PAN nuk shkoi të marr pjesë në seancën e cila u caktua për në orën 15:00 nga kryesuesi Adem Mikullovci.

Mos shkuarjen e tyre në seancë e ka arsyetuar nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës Enver Hoxhaj , i cili tha se Mikullovci, në mënyrë arbitrare ka përfunduar seancën konstituive të Kuvendit dhe në mënyrë të njëjtë ka ftuar një seancë tjetër dhe si e tillë deputetët e PAN-it nuk do të marrin pjesë pasi deputetët nuk janë ftuar.

Hoxha: Kthehemi në Kuvend vetëm në koordinim me parti të tjera

“Ju e patë para dy orësh që kryesuesi i seancës në mënyrë arbitrare e përfundoj seancën po ashtu në mënyrë të njëjtë e ka ftua një seancë të re dhe asnjë deputet nga koalicioni PAN nuk është në kuvendin e Kosovës dhe si të tillë ne nuk mund të marrim pjesë në këtë seancë presim që në koordinim dhe në konsulta me parti politike të ftohet seanca e radhës dhe ne do të jemi aty …Ne kur të hyjmë në sallë do ta shihni votën sikurse ne e pamë votën paradite , vetëm nëse doni të hyj unë i vetëm ….Seanca është mbyllur dhe të gjithë deputetët të të gjitha partive politike të koalicionit PAN, të Listës Serbe, të minoriteteve nuk janë më në sallë të kuvendit. Ju po e shihni se salla e Kuvendit është bosh dhe ne besojmë që do të kthehemi në Kuvend në atë moment kur kryesuesi në konsultim me partitë politike e fton seancën e radhës dhe në koordinim me partitë po litike ne do të marrim pjesë në një seancë të radhës.”, tha Hoxhaj.

Lajmin se nuk do marrin pjesë në seancën e orës 15:00, fillimisht e ka bërë të ditur, deputeti nga koalicioni PAN, Mialim Zeka.

Ai ka treguar se ai personalisht ka ardhur në seancë, por që nuk do të marrë pjesë për arsye siç ka thënë ai të “kërcënimit të Teuta Rugovës nga një deputet i LDK-së”.

Zeka: Unë u solidarizova me Tetua Rugovën, nuk marr pjesë në seancë

“Ky është kërcënim, shantazh , turp për demokracinë. I njëjti turp dhe shantazh ka shkuar në adresë të Labinot Tahirit i cili po ashtu është quajtur si tradhtar “, tha Zeka.

Ai po ashtu ka kritikuar deputetët nga PAN për vonesë në seancën e paradites duke thënë se ka qenë kudër shtyrjes së seancës.

Zeka: Është turp vonesa në seancë

“ Ata po thonë i kanë numrat. Ju e dëgjuat fjalën time kam qenë në mënyrë absolute kundër shtyrjes së seancës .Nuk ka pas arsye së pari me u vonua e dyta turpi më i madh që sot e ka bërë një pjesë e madhe e PAN, është vonesa e seancës . Kjo është turp para diplomatëve ndërkombëtar, turp para qytetarëve të Kosovës , turp para neve”, tha Zeka.

Pasi që deputetët e PAN-it nuk morën pjesë në seancë, ajo u sthy për nesër në orën 10:00.

Shefi i Grupit Parlamentar të LAA Avdullah Hoti pas daljes nga salla tha se koalicioni do të sillet në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, por nuk do të heqin dorë nga e drejta e tyre si shumicë.

Hoti: Institucionet i formojnë ata që e kanë shumicën

“Institucionet i themelojnë ata që përbëjnë shumicën, është pa se kush e përbënë shumicën në këtë vend, ne do të sillemi në përputhje me Kushtetutën dhe me vendimet e Gjykatës Kushtetuese për të respektuar të drejtën e koalicionit PAN për të propozua kandidatin e tyre për kryeministër, seanca u ftuar për nesër në orën 10:00, prapë do jemi në seancë dhe unë iu bëë thirrje atyre që të paraqiten në seancë të japin kandidaturën e tyre dhe të shohin se si nuk do të kalojë asnjë nga kandidatura e tyre”, tha Hoti.

Ndërsa deputeti i Vetëvendosjes, Glauk Konjifca, tha se është hipokrizi nga ata që i kërkuan dy orë shtyrje dhe në fund nuk erdhën.

Konjufca: PAN nuk i ka numrat

“Pra këtu e kam unë hallin më të madh. Që ai dy orëshi i kërkuar nga Enver Hoxhaj nuk po del të jetë një kërkesë e sinqertë. Pra nuk ka qenë qëllimi që pas dy orëve të vijnë në Kuvendin e Kosovës, por një mënyrë elegante se si të largohen nga Kuvendi për të mos u kthyer më. Mendoj që kështu ka qenë ajo kërkesa për dy orë shtesë e cila u bë nga kryetari i i grupit parlamentar të PDK-së pra e vërteta qëndron prapa kësaj ajo lidhet me numrat pra koalicioni PAN po duket se nuk i ka siguruar endet numrat për ta votuar Kadri Veselin në krye të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Pra për gjatë gjithë kohës janë treguar të pa sinqertë nuk e kanë treguar të vërteten e kanë gënjyer popullin e Kosovës për muaj me radhë se i kanë numrat por sot doli e vërteta në shesh. Pra seanca e sodit është më e vlefshme se të gjitha deklaratat së bashku të bëra nga të gjithë zyrtarët e PAN-it se i kemi numrat, nëse i kanë numrat pse u tërhoqën sot nga seanca konstituive për mua është fare e qartë u tërhoqën sepse nuk i kanë votat për ta bërë kryetar të kuvendit Veselin. Ky është një lajm i mirë se as për qeverinë nuk i paskan numrat kështu që është mirë se sa më parë të lirojnë rrugë që pra të ia mundësojnë le të themi Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës që të provojnë që ti bëjnë numrat dhe ta bëjnë qeverinë”, tha Konjufca.

Konjufca ka shtuar se faktori ndërkombëtar kanë dhënë kontributin e vet shumë të mirë për konstituimin e institucioneve të ardhshme. Sipas tij, të gjithë ambasadorët e Quintit kanë thënë që kushdo që ka mundësinë ti bëjë 61 vota ne do të ia urojmë krijimin e qeverisë së re.

Deputeti i LAA, Korab Sejdiu duke komentuar ngjarjet sotme në Kuvend, tha se disa prej këtyre problemeve që po shfaqen në Kuvend për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit janë krijuar edhe nga Gjykata Kushtetuese në vitin 2014 me aktgjykimin e saj.

Sejdiu: PAN-i po bëhet I përgjegjshëm ndaj institucioneve dhe qytetarëve të Kosovës

“Po shpresoj që nesër në seancën e radhës do të vetëdijesohet koalicioni PAN dhe do të shtyn përpara propozimin e tyre që mendojnë se e kanë përkrahjen… Unë besoj që sot u pa se ku jemi dhe nuk mund të flas për atë(Labinot Tahirin) por mund të folni drejtpërdrejt me Tahirin, nuk kam informata të tilla”, theksoi Sejdiu.

Seanca me të vetmen pikë të rendit të ditës për zgjedhje të kryetarit dhe nënkryetarëve është caktuar për nesër në orën 10:00.