Arsim & Kulturë

Arsimtari nga Deçani nderohet me çmimin “Shaban Jashari”

Arsimtari i Matematikës Beqë Metë Tahiraj nga Deçani ka marrë çmimin “Shaban Jashari” që cdo vit ndahet nga Ministria e Arsimit për nder të heroit Shaban Jashari i cili u vra bashkë me familjen e tij në betejën e njohur të Prekazit.

Tahiraj është arsimtar në shkollën e mesme Teknike “Tafil Kasumaj” në Deçan dhe ky çmim është ndarë për performancën pozitive të mësimdhënësit model, komunikimit të dalluar me nxënës, prindër dhe rezultate të mira.

Këto mirënjohje u ndanë në ceremoninë solemne të organizuar me rastin e 7 Marsit – Ditës së Mësuesit, nga ku ministri i Arsimit Arsim Bajrami uroi mësimdhënësit në gjithë Kosovën për këtë ditë të veçantë.

Mësimdhënësi, i cili pranoi çmimin “Shaban Jashari”, Beqë Metë Tahiraj theksoi se Kosova ka shumë mësues të mirë, megjithatë tha se ndjehet krenar për këtë çmim dhe falënderoi ministrin Bajrami dhe MAShT-in.

 

“Vet emri i çmimit ‘Shaban Jashari’ simbolizon sakrificën. I tillë ishte mësuesi ynë, i cili këtë sakrificë e dha edhe me çmimin e jetës, sakrificë me shpërnda vazhdimisht rreze drite, me shpërnda tek nxënësit  dëshirën për liri. Ajo është mbi të gjitha”, tha Metë Tahiraj.

Ndërsa ministri Bajrami me këtë rast theksoi se, mësuesit  kanë luajtur rol të rëndësishëm në procesin e shtetndërtimit, përmes edukimit të brezave të shumtë.

 

“Ata janë heronj të vërtetë të kohërave, në të cilat jetuan dhe ata sot janë patriotë modern sepse edukojnë të rinjtë tanë në frymën e atdhedashurisë në frymën e arsimit cilësor dhe edukimit cilësor. Ka qenë kënaqësi për Ministrinë e Arsimit që në bashkëpunim me drejtoritë komunale të përzgjedhë mësimdhënësit më të mirë dhe ky ka qenë një bashkëpunim që e kemi zhvillu me drejtoritë komunale të arsimit. Është vetëm një satisfaksion qe ne japim për t’i stimuluar mësimdhënësit tonë që ata të stimulojnë një mësimdhënie moderne që të tregojnë se ne mund të ndërtojmë një arsim dhe edukim cilësor, të tregojmë se të rinjtë tanë, nxënësit tanë, janë nxënës inteligjentë dhe nuk ka gjë më prioritare për Republikën e Kosovës, pas pavarësisë që të ndërtosh një edukim cilësor”, tha Bajrami.

Qeveria e Kosovës, sipas Bajramit , është duke punuar në dhënien e rolit të merituar për mësimdhënësit, për t’i stimuluar ata që të ballafaqohen me sfidat  e mësimdhënies moderne.

Gjithashtu, ministri ndau mirënjohje edhe për mësimdhënës të tjerë të dalluar, nga një mësimdhënës për secilën komunë./KosovaPress/