Aktuale

Arsimi në Kosovë në krizë të thellë, inflacion diplomash por jo cilësi

Prishtinë, 01 nëntor (KosovaPress) Arsimi, ekonomia dhe shëndetësia, si sektorët më vital janë lënë anash dhe se nuk kanë qenë prioritet i institucioneve qeverisëse. Kështu u tha në tryezën me temën “Çështjet që e frenojnë zhvillimin në Kosovë”, organizuar nga Forum 2015, ku në fokus ishte gjendja në sektorin e ekonomisë, shëndetësisë dhe arsimit. Luan Shllaku, nga KFOS tha se qëllimi i këtij forumi është që t’i ndihmojnë politikanët me analizat që janë bërë, me qëllim që këto analiza t’i prijnë agjendës qeveritare, për t’i kthyer këta sektorë aty ku e kanë vendit.

“Ka një kohë që jemi Republike dhe ka disa vite, ku ne në forum jemi të mendimit se jemi duke i ngatërrojmë prioritetet zhvillimore të vendit. Ne në forum e kemi një përshtypje, që sektorët më vital të shoqërisë, të republikë pra, i kemi lënë anash. Ekonomia shëndetësia dhe arsimi, janë sektor shumë vital e sa herë që nuk e kanë rrugën e trasuar nga shteti, sa herë që shteti nuk kujdeset mjaftë për këta sektorë ato i gjejnë rrugët e veta alternative. Por në këto raste jo pa shumë kolaterale, apo jo pa shumë dëme anësore, që në një moment mund ta ngulfatin zhvillimin normal të këtyre sektorëve”, tha ai.

Ndërkaq Besa Shahini, analiste e politikave arsimore, tha se arsimi në Kosovë gjendet në një krizë të thellë. E faktorët të cilët kanë ndikuar që ky sektor të arrijë në këtë pikë krize, sipas saj janë faktori historik, planifikimi i dobët dhe buxheti i ulët.

“Nuk kemi dilemë që arsimi në Kosovë, është në një krizë të thellë. Ndoshta nuk është e tepërt të thuhet që është kriza më ë madhe që arsimi në Kosovë, ka pasur prej që është themeluar sistemi arsimor, dikund pas luftës së dytë botërore. Organizata për Bashkëpunim dhe zhvillim ekonomik OSCD përmes analizës që e ka bërë të raportit të studimit pisa ku i kanë testuar nxënësit 15 vjeçar, diku në mbi 70 vende të botës për aftësitë e tyre bazike në lexim, kuptueshmëri matematikë dhe shkencë ka nxjerr Kosovën shumë keq. Rreth 80 për qind të 15 vjeçarëve në Kosovë janë analfabet funksional, që i bien që dinë të lexojnë dhe të shkruajnë, por nuk e kuptojnë mirë tekstet që i lexojnë dhe i shkruajnë….Në 10 vitet e fundit është trefishuar numri i studentëve. Është rrit jashtëzakonisht shumë numri i universiteteve publike edhe është vendos një stres i madh mbi mësimdhënësit dhe profesorët që janë të cilësisë së mirë të cilët duhet të japin mësim në shumë universitete dhe janë në punë shumë shpejtë një numër i madh i mësimdhënësve pa përvojë, që si rezultat e ka zbrit jashtë mase cilësinë e arsimit të lartë. Kemi inflacion diplomash, por jo domosdoshmërisht cilësi të njerëzve që kanë kryer këto universitete”, tha ajo..

Ndërkaq Alban Hashani nga instituti “Riinvest”, i cili foli për gjendjen në ekonomi tha se edhe ky sektor përballet me probleme të mëdha. Sipas tij situata ekonomike në Kosovë, vazhdon të ketë shpërpjestime të mëdha, e cila reflektohet në papunësi të lartë dhe deficit të lartë tregtar.

“Është konstatim i gjithë pranueshëm se problemet me të cilat përballet ekonomia e Kosovës, janë bukur të mëdha. Edhe pse ekonomia ka përjetuar një rritje sistematike në vitet e fundit , e njëjta nuk ka qenë transformuese. Nuk ka arritur me adresu problemet e mëdha dhe problemet kyçe, me të cilat ballafaqohet Kosova, në mënyrë të veçantë nivelin e lartë të varfërisë dhe me papunësinë“, tha ai.

E sa i përket shëndetësisë Hashani tha se ky sektor ka nevojë për një terapi urgjente.

Sipas tij mungesa e trajtimit serioz të këtij sektori, ka bërë që sektori në fjalë të jetë në nivele të papranueshme. Ai tha se sektori i shëndetësisë sot, karakterizohet me cilësi të ultë të shërbimeve dhe nivel të lartë të korrupsionit.

“Shëndetësia ka nevojë për një terapi urgjente. Gjendja në shëndetësi është në nivel shqetësues. Niveli i shëndetësisë në Kosovë ka probleme shumë të mëdha, përtej proklamimit si prioritet qeveritar, në vijimësi, kjo nuk ka rezultuar në praktikë. Nëse veç i analizojmë disa indikator, për shembull jetëgjatësinë e qytetarëve të Kosovës, e cila është pesë vjet më e vogël mesatarisht se vendet e rajonit dhe 10 vjet më e vogël se vendet e Evropës, tregon që niveli është shqetësues dhe problemet janë jashtëzakonisht të mëdha”, tha ai.

E ndër problemet e identifikuara në këtë sektor, ai përmendi buxhetin për të cilin tha se duhet të jetë më i lartë dhe burimet e kufizuara të financimit./KosovaPress