Një zyrtare e komunës së Prishtinës, punonjëse në sektorin e pagesave të tatimit në pronë, është dërguar në mbajtje për 48 orë nga Policia e Kosovës.
Ajo dyshohet se me qëllim të përfitimit, ka lëshuar vërtetime të pagesave të tatimit në pronë pa dëshminë se personat në fjalë janë të liruar nga kjo taksë prej 10 euro (vërtetime për regjistrimin e automjeteve).
“Pas hetimeve disa javore, hetuesit e NJRHKEK-së, kanë ardhur në përfundim se e dyshuara N. D., viti i lindjes 1980, f/k/sh, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete, ka keqpërdorur pozitën e saj dhe nga muaji mars deri në tetor 2019, ka lëshuar vërtetime të pagesave të tatimit në pronë pa dëshminë se personat në fjalë janë të liruar nga kjo taksë prej 10 euro (vërtetime për regjistrimin e automjeteve)”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.