Aktuale

Arrestohet një person për ngjarjet e 27 prillit në Kuvendin e Maqedonisë

Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) e Republikës së Maqedonisë njoftoi se është ndaluar një person me inicialet I. J. (47) nga Kumanova, i cili akuzohet për pjesëmarrje në ngjarjet që ndodhën më 27 prill në Kuvendin e Maqedonisë, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Më 21 shtator 2017 nga zyrtarë të autorizuar të Sektorit për Punë të Brendshme – Kumanovë, pas urdhëresës paraprake të 16 majit të vitit 2017 nga Prokuroria Publike në Shkup në lidhje me ngjarjet e 27 prillit në Kuvend është ndaluar personi I. J. (47) nga Kumanova, për shkak të dyshimit për ‘pjesëmarrje në turmë për të penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrës’”, theksojnë nga MPB-ja.

Nga policia e Maqedonisë bëjnë të ditur se për të njëjtin person është lëshuar shkresë qendrore nga Sektori për Punë të Brendshme – Shkup me dyshimin për kryerjen e veprës penale “pjesëmarrje në turmë për të kryer vepër penale”, e dënueshme sipas nenit 385 të Kodit Penal të Republikës së Maqedonisë.

Nga atje poashtu informojnë se është lëshuar edhe shkresë lokale nga Sektori për Punë të Brendshme – Shkup me dyshimin për kryerje të veprës penale “grabitje”, e dënueshme sipas Kodit Penal të Republikës së Maqedonisë.

Në mbrëmjen e 27 prillit, pas zgjedhjes së Talat Xhaferit për kryetar të Kuvendit, protestuesit të kryesuar nga nisma qytetare “Për Maqedoni të Përbashkët” të cilët u tubuan para godinës së Parlamentit, me forcë hynë brenda, ku si pasojë e dhunës së ushtruar nga ana e tyre, u lënduan 100 persona, përfshirë edhe deputetë, policë dhe përfaqësues të mediave.