Aktuale

Arrestohet djali i ish-shefit të Vefa-s për shpëlarje parash

Policia e Tiranës ka arrestuar sot Artan Alimuçaj, djalin e ish-shefit të Vefa-s, Vehbi Alimuçaj, nën akuzën për pastrim parash.

Në njoftimin e policisë thuhet se Shërbime të Forcës së Posaçme Operacionale në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë kanë bërë të mundur kapjen e shtetasit Alimuçaj, 41-vjeç, banues në Tiranë.

Në dhjetor 2014 Prokuroria e Tiranës dërgoi për gjykim Vehbi Alimuçajn dhe djalin e tij, Artan Alimuçaj, të akuzuar për kryerjen e veprës penale pastrim i produkteve të veprës penale, parashikuar nga neni 287/b i Kodit Penal.

Nga hetimi ka rezultuar se shtetasi Vehbi Alimuçaj, i cili ka qenë administrator i firmës piramidale “Vefa”, është dënuar për veprën penale të “mashtrimit” për një numër shumë të madh personash, rezulton se ka pasur një llogari bankare në një bankë në Hungari në shumën 328 mijë dollarë.

Po ashtu, rezulton se në të njëjtën bankë, djali i tij, shtetasi Artan Alimuçaj ka pasur një llogari bankare në shumën 647 mijë dollarë.