Njësitet e Policisë së Kosovës kanë arritur që brenda pesë ditësh pune intensive hetimore të gjejnë veturën e vjedhur të tipit Volkswagen Phaeton dhe të kapin personin B.M, i cili dyshohet se ka kryer vjedhjen.
Fillimisht me datën 13.11.2019 rreth orës 10:30, Policia e Kosovës, respektivisht Stacioni Policor në Pejë, ka pranuar ankesën nga një person.
Ai ka treguar se atë ditë e ka parkuar automjetin e tij Volkswagen Phaeton në parking të objektit të tij në rrugën “Ahmet Shala” në Pejë, me ç’rast kur është kthyer nuk e ka gjetur automjetin në fjalë.
Policia thekson se menjëherë i është përgjigjur vendit të ngjarjes dhe pas një pune intensive është arritur të gjendet vetura e lartcekur në oborrin e spitalit rajonal në Pejë, ku e njëjta është sjellë në Stacionin Policor në Pejë për ekzaminime të mëtutjeshme.
Kurse dje, pas një pune intensive operativo-hetimore, është arritur që të identifikohet, rrjedhimisht të arrestohet i dyshuari B. M. i lindur me 1992, i cili dyshohet se ka kryer veprën penale ‘vjedhje e rëndë’.
Bëhet e ditur se me vendim të prokurorit të shtetit të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orëve deri në marrjen e një vendimi tjetër nga organet e drejtësisë./FaktePlus