Policia e Tiranës ka bërë të mundur identifikimin dhe arrestimin e njërit prej autorëve të vjedhjes me dhunë në një pikë karburanti në zonën e Ibës.
Mësohet se në pranga është vënë Ergit Shyti, 20 vjeç, banues në Tiranë, ndaj të cilit policia e Tiranës ka arritur të sigurojë prova të mjaftueshme se ai është një nga autorët e dyshuar të vjedhjes me dhunë në pikën e karburantit në fshatin Ibë ndodhur më datë 4 shkurt 2017.
Nga ana tjetër, nga blutë e kryeqytetit, në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar tre telefona të markave të ndryshme si dhe një portofol në të cilin gjendeshin 161 mijë lekë të vjetra.
Po ashtu, mësohet se specialistët e hetimit të krimeve po vazhdojnë hetimet për identifikimin e autorit të dytë të përfshirë në këtë ngjarje dhe vënien e tij para përgjegjësisë penale.
Materialet iu kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë për veprën penale të “Vjedhjes me Dhunë e kryer në bashkëpunim”.