Policia e Kosovës, rajoni i Gjakovës njofton se kanë arrestuar tre të dyshuar për grabitje në Gjakovë.
“Me datën 12.10.2016 sektori i hetimeve të stacionit policor në Gjakovë, në bashkëpunim të ngushtë me sektorin rajonal për hetime, pas një pune intensive operativo-hetimore kanë arritur të identifikojnë dhe të arrestojnë tre persona të dyshuar për grabitje”, shkruan në njoftimin e Policisë.
Personat e arrestuar dyshohet se me datën 2 tetor 2016 në orën 23:30 në rrugën “Anton Çeta” në Gjakovë ia kanë grabitur viktimës femër çantën e krahut, në të cilën kishte të holla në vlerë 12.000 euro.
Personat e dyshuar janë: M. D. lindur më 1981 m/sh/k, N. P. lindur më 1966 m/sh/k, M. D lindur më 1983 m/sh/k.
Të dyshuarit janë arrestuar dhe janë shoqëruar për në stacion policor dhe gjatë intervistimit në prani të avokatëve mbrojtës kanë pranuar veprën.
Lidhur me arrestimin e tyre është njoftuar prokurori i çështjes, me urdhër të të cilit tre personat e dyshuar janë mbajtur në ndalim policor, ndaj tyre është ushtruar kallëzimi penal policor, e më pas u është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh.