Aktuale

Arrestohen hajnat që vodhën çantën me 12 mijë euro

Sektori i hetimeve të stacionit policor në Gjakovë, në bashkëpunim të ngushtë me sektorin rajonal për hetime, pas një pune intensive operativo-hetimore kanë arritur të identifikojnë dhe të arrestojnë tre persona të dyshuar për ‘grabitje’.

Në një njoftim për media thuhet se personat e arrestuar dyshohet se me datën 2 tetor, në orën 23:30 në rrugën “Anton Çeta” në Gjakovë ia kanë grabitur viktimës femër çantën e krahut në të cilën kishte të holla në vlerë 12 mijë euro.

Policia bën të ditur se personat e dyshuar janë: M.D (1981), N.P (1966), M.D (1983).

“Të dyshuarit janë arrestuar dhe janë shoqëruar për në stacion policor dhe gjatë intervistimit në prani të avokatëve mbrojtës kanë pranuar veprën. Lidhur me arrestimin e tyre është njoftuar prokurori i çështjes me urdhër të të cilit tre personat e dyshuar janë mbajtur në ndalim policor, ndaj tyre është ushtruar kallëzimi penal policor, e më pas u është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh”, thuhet në njoftim të Policisë. /KosovaPress/