Aktuale

Arrestohen dy persona për ‘keqpërdorim të detyrës zyrtare’ dhe ‘përvetësim në detyrë’

Dy persona janë arrestuar në Prishtinë nën dyshimin për përfshirjen në veprat penale ‘përvetësim në detyrë’ dhe ‘keqpërdorim i pozitës zyrtare’.
Përmes një komunikate për media, është bërë e ditur se i dyshuari Sh. S. viti i lindjes 1981, m/k/sh, në cilësinë e inspektorit farmaceutik në Ministrinë e Shëndetësisë ka vepruar në kundërshtim me detyrat e tij zyrtare, pasi dyshohet se ka bërë zotime të mjeteve për avance për zyrtarët e AKPM-së, raporton lajmi.net.

“Nga viti 2015 deri në vitin 2018, janë bërë zotime në kundërshtim me ligjin, pa pasur aprovimet paraprake dhe nuk ka fare dokumentacion që arsyetojnë zotimin e mjeteve. Shuma e këtyre avanceve është: 1,127,499.00 € (një milion e njëqind e njëzetë e shtatë mijë e katërqind e nëntëdhjetë e nëntë)”, bëhet e ditur në komunukatë.

Ndërsa e dyshuara N. (Sh.) F. viti i lindjes 1981, f/k/sh, në pozitën e u.d. shef i Personelit në Qendrën Kombëtare për Transfuzionin e Gjakut, në cilësinë e zyrtares zotuese alternative për AKPPM-në, nga data 28.03.2014 deri 17.12.2014 ka kryer zotimet e mjeteve në shumën 99,415.00 € (nëntëdhjetë e nëntë mijë e katërqind e pesëmbëdhjetë). Për zotimet e realizuara nga e dyshuara gjithashtu mungojnë aprovimet paraprake dhe nuk ka fare dokumentacion që e arsyeton zotimin e këtyre mjeteve.

Këto mjete të zotuara nga të dyshuarit më pas i ka tërhequr nga banka i dyshuari M. S., i arrestuar nga Policia e Kosovë më 28.03.2018.

“Pas intervistimit personat e dyshuar me aktvendim të prokurorit të Prokurorisë Themelore-Prishtinë dërgohen në ndalim për 48 orë”, përfundohet në komunikatë./Lajmi.net/