Aktuale

Arrestohen 7 të dyshuar për vjedhje dhe plagosjen e pjesëtarit të sigurimit në Obiliq

Më 26 korrik, Policia e Kosovës kishte raportuar se afër depos së mazutit të TC Kosova “B”, persona të panjohur, të maskuar, kanë qëlluar me armë zjarri viktimën mashkull, shqiptar të Kosovës, punëtor sigurimi i cili është dërguar në QKUK për trajtim të nevojshëm mjekësor.

Ndërkaq, gjatë këtij konfrontimi me të dyshuarit, lëndime trupore kanë pësuar dy viktima meshkuj, shqiptarë të Kosovës, punëtorë sigurimi. Të dyshuarit, pas sulmit ishin larguar në drejtim të panjohur.

Por, në njoftimin e sotëm për media, Policia ka bërë të ditur se pas hetimeve të zhvilluara, të martën (20.09.2016) janë identifikuar dhe arrestuar shtatë të dyshuar meshkuj, shqiptarë të Kosovës, për të cilët ekziston dyshimi i bazuar se kanë kryer grabitje dhe vjedhje të rënda në Obiliq.

“Lidhur me rastin janë bastisur edhe shtëpitë e të dyshuarave, me ç’rast janë gjetur dhe konfiskuar një revole “Ekol” me një karikator me katër fishekë të cal. 9 mm, tre fishekë të armës së gjatë, dy fishekë të revoles, një telefon celular, një maskë, një palë pranga dhe një laser”, thuhet në këtë njoftim të Policisë së Kosovës.

Ndërkaq, me urdhër të prokurorit pas intervistimit të dyshuarit dërgohen në mbajtje./koha.net