Rajon & Botë

Arrestohen 11 serbë dhe rusë për kalim ilegal të kufirit

Policia e Kosovës ka arrestuar sot 11 persona, shtetas rusë dhe serbë, të cilët kanë kaluar kufirin ilegalisht nga Serbia në Kosovë.

Arrestimi i tyre është bërë pas marrjes së informacioneve se në lagjen Sekiraqa në fshatin Metergof të Podujevës, pritet të hyjnë në mënyrë të paligjshme disa shtetas serb dhe rus.

Policia Kufitare ka ndërmarrë masat e nevojshme policore duke angazhuar ekipe patrulluese të kufirit, të cilat si rezultat i punës rreth orës 13:45 në lokacionin e cekur, saktësisht tek tabela paralajmëruese e KFOR-it e cila tregon afërsinë e kufirit, kanë ndaluar dy automjete të dyshuara me targa të Serbisë.

Gjatë kontrollit të dy automjeteve “Mercedes” kombi ngjyrë e bardhë, janë ndaluar 11 persona të dyshuar, nën dyshimin e bazuar për kalim të paautorizuar të kufirit shtetëror.

Personat e ndaluar janë: M.P. 1990, mashkull, serb, Z.P. 1969, mashkull, serb, Y.P. 2002, femër, ruse, O.K. 1977 femër, ruse, E.P. 1974 femër, ruse, E.P. 1975, femër, ruse, A.K. 1974, mashkull, rus, G.P. 1966, mashkull, serb, M.M., 1980, femër, serbe, A.P. 1975 mashkull, rus dhe V.P. 1991, femër, serbe.

Personat e dyshuar së bashku me automjetet janë dërguar në stacion të Policisë Kufitare, për intervistim dhe procedim të mëtejmë, sipas procedurave të parapara ligjore.

Lidhur me rastin janë njoftuar prokurori kujdestar i shtetit, oda e avokatëve të Kosovës dhe Zyra ndërlidhëse ruse në Republikën e Kosovës.