Rajon & Botë

Armëpushim humanitar në Alepo, por askush nuk largohet

Në Alepo të Sirisë ka hyrë në fuqi “armëpushimi humanitar”, për t’u mundësuar civilëve, por edhe luftëtarëve, largimin nga vendi para se të rinisin bombardimet.

Armëpushimi i njëanshëm, i njoftuar nga Rusia, do të zgjasë disa orë. Tetë korridore për largimin nga qyteti janë ofruar për banorët në lindje të tij. Bombardimet ruso-siriane kishin ndalur që prej së martës.

Nga ana e tyre, rebelët e kanë refuzuar ofertën dhe raportohet se në një prej korridoreve po zhvillohen luftime.

Ndërkohë, burime opozitare bëjnë të ditur se deri tani fare pak civilë janë evakuuar.       Korrespondenti i televizionit “Orient News”, me bazë në Dubai, deklaroi se ai dhe ekipi i tij kishin vizituar dy nga korridoret, ku kishin parë vetëm pak civilë duke u larguar.

Ammar Jaber akuzoi qeverinë siriane se ka vendosur snajpera nëpër korridore, të cilat i ka sulmuar edhe me raketahedhës.

“Ka pasur luftime të ashpra dhe 15 vetë janë ndodhur nën zjarrin e snajperave”, ka thënë banori.  Ndërsa Wissam Zarqa, mësues në Alepo, tha për BBC: “Në dijeninë time, askush nuk mund të largohet”.

Muajin e kaluar, forcat e qeverisë siriane rrethuan seksionin lindor të Alepos dhe nisën një sulm masiv të mbështetura nga trupat ruse.