Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetar të Prishtinës, Arban Abrashi, gjatë një debati me studentët dhe profesorët e Kolegjit AAB, i cili do të transmetohet edhe në RTK, shpalosi programin e tij për qeverisjen komunale për katër vitet e ardhshme.
Abrashi tha se me rastin e ardhjes së tij në pushtet, gjatë mandatit katër vjeçar, në komunën e Prishtinës do të zbatohen 320 projekte, ku do të krijohet mundësi punësimi për 30 mijë qytetarë, shëndetësi dhe arsim më cilësor, ambient më i pastër, 6000 vende për parkim, më shumë gjelbrim dhe kënde lojërash për fëmijë, do të ndërtohet Spitali i qytetit, etj.
Ai, duke folur për secilën pikë të programit të tij, tha se të gjitha këto projekte janë të përballueshme vetëm me buxhetin e komunës së Prishtinës, por nuk e përjashtoi mundësinë që për disa projekte të mëdha të marrin edhe kredi të buta afatgjate.
Abrashi tha se do ta krijojë edhe një fond të punësimit, i cili sipas tij, në fillim do të jetë një milion euro dhe se do të përdoret për të përkrahur realizimin e ideve të të rinjëve për të filluar bizneset e tyre, si dhe subvencionimin e pagave që do të kontribuonin në zgjerimin e bizneseve aktuale në këtë komunë.
“Kemi fillu me një milion euro, por deri në fund të mandatit tim qeverisës, kjo shumë do të shumëfishohet sepse ka buxhet në dispozicion për këtë gjë. Do t’i përkrahim përmes granteve apo përmes subvencionimit të pagave të gjithë ata të rinj që mendojnë të krijojnë biznes të ri, qoftë në vetpunësim, qoftë që ta zgjerojnë biznesin e tyre”, tha Abrashi.
Pos këtij fondi, Abrashi tha se do të parashohin edhe lehtësira të tjera për bizneset në mënyrë që, siç thotë ai, Prishtina të jetë një vend atraktiv edhe për shumë investitorë.
Abrashi gjithashtu tha se do të ndërtojnë edhe 7 shkolla, ndër to edhe shkollën e muzikës, të cilat do t’i përmbushin synimin e tij që të jenë 25 nxënës për klasë. Poashtu, ai tregoi edhe për planin e tij për ndërtimin e Spitalit të Prishtinës.
“Spitali do të ketë një karakter përtej një spitali regjional që e kanë qytetet tjera, do të ketë shërbime shtesë. Spitali është dashur të ndërtohet në ditën e parë sepse ligji këtë e ka mundësuar qysh në vitin 2014”, tha Abrashi.
Abrashi foli edhe për përkrahjen që do t’u bëjë studentëve, ku tha se synojnë që të dyfishojmë numrin e bursave për studime në komunën e Prishtinës, me një fokus të veçantë për ata sektorë që janë ka mungesa të mëdha të kuadrove, si dhe përkrahjen financiare të studentëve për kryrje të praktikës.
Ai tha se do të ketë barazi të plotë për të gjithë studentët si të institucioneve publike ashtu edhe të atyre private të arsimit të lartë, qoftë për aplikimin për punë, qoftë në aplikim të bursave që i jep komuna.
Në pyetjen se krahas kryetarëve paraprak të Prishtinës, të cilët mbahen në mend për diçka të veçantë, Abrashi tha se është i fokusuar më shumë te lagjja “Prishtina e Re”, me të cilën edhe shpreson që do të mbahet në mend.
Në këtë debat pati edhe shumë pyetje të tjera të studentëve dhe të profesorëve të Kolegjit AAB, të cilat prekën pika të ndryshme të problemeve me të cilat përballet qytetari në kryeqytet, e të cilave iu përgjigj kandidati i LDK-së për kryetar të Prishtinës, Arban Abrashi.
Abrashi, u premtoi studentëve të AAB-së se do të pranojë edhe një debat ballë për ballë me kundërkandidatin e tij, Shpend Ahmetin, në Kolegjin AAB duke thënë se është i gatshëm çdo herë për një gjë të tillë.