Shefja e Zyres së BE-së në Kosovë dhe përfaqësuesja e Posaçme e BE-së, Nataliya Apostolova, në kuadër të takimeve me shefat e grupeve dhe komisioneve parlamentare, do të takojë sot përfaqësuesit e Listës Serbe.
Sipas njoftimit të zyrës së BE-së, qëllimi i takimeve është të kuptohen prioritetet e përbërjes së re të Kuvendit, të informohen deputetët me prioritetet e BE-së për periudhën e ardhshme dhe të diskutohen mënyrat se si BE-ja në Kosovë mund të mbështesë deputetët në zbatimin e reformave që ndërlidhen me axhendën evropiane.
Këto reforma rrjedhin nga Marrëveshja e Stabilizim Asociimit (MSA) dhe mekanizmat përkatës – Agjenda e Reformës Evropiane (ERA) dhe Programi i Reformës Ekonomike (ERP); Strategjinë e Zgjerimit dhe Raportin për Kosovën; Udhëzimet për drejtësinë, lirinë dhe sigurinë; Agjendën e Nderlidhjes; dhe dokumentet tjera relevante.
Ajo do të takohet me nënkryetarin e Kuvendit, Sllavko Simiq, shefin e Grupit Parlamentar të Listës Serbe, Sasha Millosavljeviq, si dhe Igor Simiq nga Komisioni për të Drejtat, Interesat e Komuniteteve dhe për Kthim./KosovaPress/