Ministrja e re e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha dhe shefja e Zyrës së Bashkimit Evropian Nataliya Apostolova gjatë një takimi sot u kanë bërë thirrje qytetarëve të Kosovës që të mos bien pre e dezinformatave për të migruar në mënyrë të parregullt, pasi Kosova është vend i sigurt i origjinës dhe qytetarëve të saj nuk u njihet e drejta e azilit.
Hoxha dhe Apostolova thanë se në rast të ndonjë kalimi eventual, organet e sigurisë të cilitdo nga kufijtë e zonës Shengen do të marrin masa ligjore për kalim të parregullt të kufirit dhe përveç shpenzimeve materiale atyre do t’u ndalohet edhe hyrja në Shengen për vite të tëra.
Gjatë këtij takimi ministrja Hoxha shprehu përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për të zhvilluar bashkëpunimin me Zyrën e BE-së rreth avancimit të agjendës evropiane për Kosovën.
Ajo ka folur për vizionin e Qeverisë së Kosovës për të udhëhequr me procesin e zbatimit të MSA-së, duke thënë se nga tani e tutje pritet që ky proces të dinamizohet dhe rezultatet e saja të jenë më konkrete dhe të dukshme për qytetarët.
Ministrja Hoxha po ashtu, potencoi domosdoshmërinë për të përfunduar kriteret e mbetura teknike për të ecur tutje me procesin e liberalizimit të vizave, dhe që ky proces sa më parë të përmbyllet.
Ndërsa nga ana e saj, Apostolova potencoi se BE-ja vazhdon të jetë e gatshme ta ndihmojë Kosovën në këtë proces.