Rajon & Botë

Apeli kthen në rivendosje ekstradimin e priftit anglez, që Britania po e kërkon për pedofili

Kolegji gjyqësor prej tre gjyqtarësh i Gjykatës së Apelit ka anuluar një vendim të Gjykatës Themelore në Pejë, të datës 21 qershor në bazë të të cilit ishte refuzuar kërkesa e prokurorisë për ekstradimin e shtetasit britanik A. Ch. K. S.
Çështja i është kthyer sërish të se njëjtës gjykatë për rivendosje ndërsa të kërkuarit i është vazhduar paraburgimi.

Personi në fjalë po kërkohet nga ana e Britanisë se Madhe  për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer dy vepra penale  marrëdhënie seksuale anale , gjashtë vepra penale  sulm i pahijshëm mbi një person mashkull, si dhe imoralitet me një fëmijë.

Gjykata e Apelit gjati se ankesa e prokurorisë kundër aktvendimit të shkallës se parë është e bazuar. Kjo për faktin se vendimi i në fjalë nuk është i bazuar, ngase aplikimi i ligjit penal vendor është i gabuar, dhe nuk janë dhënë arsye të qarta sa i përket skadimit të afatit të parashkrimit të veprave penale, për te cilat po kërkohet shtetasi britanik.

“Në procedurë te rivendosjes Gjykata Themelore duhet të jep arsye të qarta se sipas cilit ligj vendor parashihen këto vepra penale duke i pasur parasysh ndryshimet e disahershme të Kodit penal dhe pastaj për secilën vepër veç e veç të përcaktoj se a ka skaduar afati i parashkrimit që nga koha e kryerjes se tyre”, thuhet në komunikatën e Gjykatës së Apelit.

Prifti që përdorte dy emra Laurence Soper dhe Andrew Charles është arrestuar një muaj më herët nga Policia e Kosovës në  bazë të urdhëresës ndërkombëtare evropiane, të lëshuar nga Britania e Madhe – Divizioni Kundër Krimit të Organizuar.

Ish-prifti dyshohet se ka abuzuar me fëmijë qysh para 20 viteve. Ai ka punuar si mësimdhënës nga viti 1973-1983 dhe u bë administrator i shkollës së Shën Benediktit në vitin 1975 ku punoi deri në vitin 1991. Sipas dëshmive të familjarëve të viktimave dhënë për “Daily Mail”, Soper ka përdorur edhe emrin Andrew Charles, të njëjtin emër që e ka përdorur edhe në Pejë. Akuzat e para ndaj tij ishin bërë nga një ish-nxënës.