Aktuale

Apeli i sotëm i policisë për shoferët

Reshjet e pandërprera të borës që po vazhdojnë ende, kanë bërë që edhe policia e Kosovës të apeloj tek të gjithë pjesëmarrësit në trafik që të kenë kujdes më të shtuar gjatë ngasjes së automjeteve në trafik.

“Ju informojmë se Policia e Kosovës përmes planeve konkrete me njësitet e saj ka marrë masa për përforcimin e shërbimeve të Policisë së Komunikacionit Rrugor në të gjitha akset rrugore, me qëllim të ngritjes së nivelit të sigurisë dhe parandalimit të aksidenteve në trafik”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga Policia e Kosovës.

Policia e Kosovës tutje përmes kësaj komunikate kërkon nga të gjithë pjesëmarrësit në trafik, e në veçanti nga drejtuesit e automjeteve, që të respektojnë shenjat e komunikacionit rrugor si dhe t’u përshtaten kushteve atmosferike gjatë ngasjes së automjeteve, sepse tani të reshurat ndikojnë në zvogëlimin e dukshmërisë në rrugë, ku në disa akse rrugore mund të paraqiten vështirësi në qarkullimin rrugor e sidomos në orët e vona dhe ato të hershme ku mund të paraqiten edhe ngrica.

“Policia e Kosovës vazhdon të apeloj tek të gjithë pjesëmarrësit në trafik që të respektojnë dispozitat ligjore të lëmit të komunikacionit, të posedojnë pajisjet e nevojshme dimërore, të ju përshtaten kushteve të rrugës dhe kushteve atmosferike, pasi që këto norma janë vendosur për mbrojtjen e jetës së tyre dhe pjesëmarrësve tjerë në komunikacion”, thuhet në komunikatë.

Në të kundërtën Policia e Kosovës paralajmëron të gjithë qytetarët se do të ndërmarrë masa ndëshkuese ndaj të gjithë shkelësve të ligjit, me qëllim për ngritjen e nivelit të sigurisë në trafik, parandalimin e aksidenteve, e në veçanti të atyre me pasoja fatale./FaktePlus/