Aktuale

Anulohen të gjitha seancat në rastin Azem Syla

EULEX-i dështon përsëri sa i përket hetuesisë së veçantë në rastin e Azem Syla dhe të tjerëve. Të gjitha seancat e caktuara për datën 6, 7 dhe 8 korrik 2016 janë anuluar. Kështu thotë avokati i Azem Sulës, Tomë Gashi.

“EULEX-i nuk jep sqarime për këto shtyrje por dihet se EULEX-i ende nuk ka mandat në Kosovë. EULEX-i duhet që të gjitha lëndët t’i dorëzoj tek Gjyqtarët dhe Prokurorët vendor, sepse askund në botë misionet e sundimit të ligjit nuk i mbajnë lëndët në sirtarë”, ka deklaruar Gashi.

Pasi që EULEX-i nuk mund të veproj, sipas Gashit, ata që janë në paraburgim nuk mund t’i realizojnë të drejtat e tyre dhe askush nuk ka të drejtë që t’i mbajë në paraburgim duke mos kryer asnjë veprim hetimor.

“EULEX-i është këtu që të na mësoj apo imponoj rregullat e sundimit të ligjit, por ne po e këshillojmë EULEX-in, pasi nuk ka mandat për të vepruar t’i dorëzoj lëndët tek Gjyqtarët dhe Prokurorët e Shtetit të Kosovës, posaçërisht kur të dyshuarit e EULEX-it si Azem Syla dhe të tjerët janë në paraburgim, rregulla e parë e drejtësisë është kur nuk mund të veprosh vetë lejoj të tjerët të veprojnë në interes të drejtësisë”, ka deklaruar ai.