Aktuale

Anëtari i VV-së krahason Molliqajn me Veselin: I bashkon lufta kundër Vetëvendosjes

Adnan Rrustemi anëtar i Lëvizës Vetëvendosjes ka krahasuar bashkë partiakun e tij, Dardan Molliqajn me ‘kundërshtarin’ më të madh politik të VV-së, Kadri Veselin.

Pas deklaratës së Molliqajt që e bëri mbrëmë duke thënë se qasja e Kurti mund të jetë e rrezikshme, i menjëhershëm ka qenë reagimi i Rrustemit i cili në Facebook, i cili ka shkruar se deri më tani vetëm Kadri Veseli ka thënë se Kurti është i rrezikshëm për Kosovën, shkruan Insajderi.

“Deri tash vetëm Kadri Veseli thoshte që Albini është i rrezikshëm për Kosovën. Tash e tutje, atij iu bashku edhe Dardan Molliqaj. Por u duk qartë se nuk është vetëm kjo pikë që i përbashkon këta dy kur bëhet fjalë për luftën kundër ‘Vetëvendosjes’”, ka shkruar Rrustemi në Facebook.

“Duke u nisur nga ajo që jam përballur në 15 muajt e fundit në parti, kam parë që nëse bëhet ajo që është bërë brenda në parti, çka mund të bëhet kur ai të merr kontrollin e shtetit, policinë dhe gjykatat. Kushdo që mendon që Albini nuk është rrezik le ta votojnë, a bën të ma lejojnë që unë të mendoj ndryshe”, kishte deklaruar mbrëmë Molliqaj në Rubikon të KTV-së.

Ndryshe tash e një kohë ka filluar edhe publikisht një përçarje në Lëvizjen Vetëvendosje ku shumë anëtarë të kësaj partie kanë dhënë dorëheqje nga postet që kanë mbajtur në këtë subjekt politik. Kjo përçarje kishte filluar sipas Molliqajt për shkak të frikës së Kurtit se Molliqaj mund t’ia rrezikonte postin e të parit në Vetëvendosje.

Në zgjedhjet e mbajtura të dielën, Albin Kurti arriti të shpallet për herën e dytë kryetar i Lëvizës Vetëvendosje./Insajderi.com