Analisti Fatos Lubonja foli për rrezikun e putinzimit.
Në studion e lajmeve të Ora News, Lubonja shpjegoi se putinizëm do të thotë një sistem ku ka zgjedhje por nuk ka rotacion.
Sipas tij Dibra ishte shembulli më i mirë i rrezikut të putinizmit.
“Kur themi shteti janë dy gjëra që ne i ngatërrojmë. Themi shteti dhe në vend që të kemi parasysh të gjitha ato struktura që janë mbipartiake. Nënkuptojmë mazhorancën e radhës, qeverinë e radhës, dhe ky ngatërrim nuk është i rastësishëm. Në vend që të ndërtohet shteti i së drejtës, ndërtohet shteti i partisë, partia-shtet, që ndërron një herë në 8 vjet, dhe që tani është koalicioni PS-LSI dhe përmendin strukturat kryesore që janë Policia dhe një problem shumë i madh tjetër si Drejtësia që duhet t’i kontrollojë këto.
Njëkohësisht është problemi që shteti që ndërhyri për të ndërprerë Lazaratin ka vazhduar këtë lloj fryme që nënkupton që duhet të investonte ndryshe në ekonomi. Edhe nëse themi që shteti nuk ka dorë fare në këtë lloj industrie shteti është fajtor se nuk ka investuar ndrsyhe në kuptimin e politikave për të zhvilluar bujqësinë dhe varfërimi i njerëzve ka bërë që ose të largohen ose të kultivojnë drogën. Nuk është deri këtu. Është më keq. Sot kam bërë një shkrim, rreziku i putinizmit ku kam idenë, putinizëm do të thotë një sistem ku ka zgjedhje por nuk ka rotacion. Dhe rreziku është që kjo mazhorancë duke forcuar instrumentat e sundimit, duke degraduar njerëzit në krim dhe bashkëpunim me krimin, mund të sundojë.
Ishte e dukshme në Dibër, se nuk mundesh që brenda një viti të fitosh me aq shumë vota. Në Dibër nuk ka asgjë tjetër përveç se një lloj kompromentimi të njerëzve, pra të mos kemi më rotacion. Një nga faktorët që e mban putinizmin në këmbë është ekonomia. Këta kanë gjetur drogën. Kjo është katastrofike për të ardhmen e Shqipërisë”, u shpreh Lubonja.