Aktuale

Ambasadorja e Brazilit: Nuk e kemi në plan të njohim Kosovën

Brazili vazhdon t’i qëndrojë vendimin të vet për të mos e njohur pavarësinë e Kosovës, dhe as nuk ka ndërmend ta njohë atë në të ardhmen.
Kështu ka thënë sot Ambasadorja e Brazilit në Serbi, Izabela Kristina de Azevedo Hevvert, në një intervistë me mediumin serb N1 Info.

“Pavarësisht nga ndryshimet e vogla në pozicionet e vendeve të tjera, ne mbetemi në këtë pozicion [për mos e njohur Kosovën] dhe nuk ka mundësi që qëndrimi ynë të ndryshojë”, ka thënë Ambasadorja e Brazilit.

Azevedo Hevvert ka folur edhe për marrëdhëniet ndërmjet Serbisë dhe Brazilit, për të cilat ajo ka thënë se janë shumë të forta.

“Serbia kishte hapur një konsullatë në Rio de Janeiro në prill të vitit 1938. Në vitin 1939, njëmbëdhjetë muaj më vonë, Brazili ka hapur zyrën e saj përfaqësuese në Beograd. Që atëherë, ne kemi një marrëdhënie të bazuar në besimin e ndërsjellë, me respekt të madh, kështu që ne kemi një marrëdhënie shumë të fortë diplomatike”, ka thënë ajo.