Rajon & Botë

Ambasadorja amerikane në Katar jep dorëheqjen

Ambasadorja amerikane në Doha, Dana Shell Smith, e cila pranoi muajin e kaluar se e kishte të vështirë të shpjegonte politikën e presidentit Donald Trump njoftoi sot se do të hiqte dorë nga posti i saj.

Njoftimi i diplomates amerikane vjen ndërkohë që një krizë e rëndë ka përballur Katarin me fqinjët arabë, të cilët akuzojnë Dohan për mbështetje të terrorizmit.

“Këtë muaj, përfundoj tre vitet e mia si ambasadore në Katar”, shkruan Shell Smith në Twitter duke shtuar se ishte e nderuar të punonte në këtë vend.

Në Uashington, një zyrtar theksoi se ambasadorja do të linte edhe Departamentin e Shtetit dhe do të dilte në pension.

Mandati i ambasadorëve amerikanë është përgjithësisht tre vjet.

Shell Smith ishte emëruar në Katar nga ish-presidenti amerikan, Barack Obama në vitin 2014.

Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahrejni dhe Egjipti kanë ndërprerë marrëdhëniet diplomatike në fillim të qershorit me Katarin dhe kanë ndërprerë gjithashtu lidhjet ajrore dhe detare me emiratin e vogël të gazit, nën akuzat për mbështetje të terrorizmit dhe lidhjeve me Iranin.

Katari ka hedhur poshtë të gjitha akuzat.