UNDP në bashkëpunim me Njësinë e Inteligjencës Financiare në Kosovë ka lansuar raportin e parë mbi tipologjitë e pastrimit të parave nga personat e ekspozuar politikisht në Kosovë.
Përfaqësuesja e UNDP-së, Ulrike Richardson ka thënë se pastrimi i parave mbetet një sfidë globale duke shtuar se 5 % e GDP-së globale humbet nga korrupsioni, njofton Klan Kosova.
Këtë publikim e ka mbështetur Ambasada e Zvicrës ndërsa ambasadori Jean-Hubert Lebet ka thënë se nuk vërehet ulje në korrupsion dhe kjo sipas tij ka ndodhur për arsye se ekziston një mjedis i përshtatshëm për korrupsion duke përfshirë legjislacionin jo adekuat, kualifikimet e dobëta të shërbyesve civilë, paga të pamjaftueshme për sektorin publik, keqpërdorimi i afërsive (familjare, klanore dhe partiake) e të tjera.
Ai ka shtuar se autoritetet duhet të përkrahin të gjitha përpjekjet pët të përmirësuar këtë mjedis.
Po ashtu ai ka shtuar se ka mungesë të mbështetjes se qartë dhe efektive ndaj policisë, prokurorëve dhe gjyqtarëve në mënyrë që t’iu garantohet siguria dhe pavarësia gjatë hetimeve.
Në këtë ngjarje ka folur edhe drejtori i NJIF, Dardan Nuhiu që ka thënë se tipologjitë e publikuara janë raste studimore që kanë ndodhur në Kosovë dhe që ndihmojnë autoritetet në hetimin dhe parandalimin e pastrimit të parave.