Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu, deklaroi sot se çështja e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe është nënshkruar moti pasi që është obligim i Pavarësisë së 17 Shkurtit dhe sigurisht se do të bëhet, por vazhdon ai, detyra e politikës është që kjo të bëhet në harmoni me ligjin dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
Këto deklarata, kryetari Aliu i bëri sot në një ligjëratë për studentët e Kolegjit AAB – dega në Ferizaj me temën “Qeverisja lokale me theks të veçantë Komuna e Ferizajt”.
Ai tha se ashtu siç, Ligji për Vetqeverisje Lokale është derivim i Pakos së Ahtisarit, poashtu edhe Asociacioni është derivim i kësaj pako.
“Shqetësusese për mua është se i gjithë debati në Kosovë po zhvillohet për disa meditje, për disa gjëra të kota, por jo për përgjegjësitë që kemi karshi kësaj çështje”, tha kryetari Aliu.
Ai tha para studentëve se kryeministri i atëhershëm Isa Mustafa e kishte nënshkruar një dokument për Asociacionin që u vërtetua se ishte në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, e që ky gabim, sipas kryetarit Aliu, ishte gabim i ekspertëve e jo i ish-kryeministrit.
“Çfarë kanë bërë ata ekspertë, kur kanë shkruar atje, i kanë thënë kryeministrit Isa Mustafa të nënshkruajë një marrëveshje të Asociacionit e cila ka qenë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës. Çfarë do bëja unë po të isha kryeministër? Të gjithë atyre zyrtarëve u kisha thënë ‘t’i gëzoni këto meditje, por ju jeni të suspenduar’, sepse detyra e tyre nuk ka përfunduar me sukses. Ata kanë lejuar që kryeministri i Republikës së Kosovës të nënshkruajë diçka çka ka qenë në kundërshtim me Kushtetutën. Po mirë që ai dokument u dorëzua pastaj në Gjykatën Kushtetuese dhe kjo e fundit pastaj i përcaktoi vijat ku nuk guxon të preket apo të cënohet”, tregoi kryetari Aliu.
Ai tha se Asociacioni është obligim i Pavarësisë së Republikës së Kosovës, ndërsa, me rëndësi është që politika të jetë e kujdesshme që të respektohet Kushtetuta dhe ligjet në fuqi.
Në këtë ligjëratë, kryetari Aliu para studentëve të Kolegjit AAB foli për Ligjin për Vetqeverisjen Lokale, me theks të veçant se si ky ligj zbatohet në Komunën e Ferizajt, për kompetencat e kryetarit dhe Kuvendit Komunal, pastaj foli për buxhetin, administratën, për projektet kapitale, arsimin e shëndetësinë, si dhe për tema të tjera që kanë të bëjnë me qeverisjen në komunën që ai drejton.
Në pjesën e fundit të kësaj ligjërate u zhvillua edhe një debat, ku studentët e Kolegjit AB parashtruan pyetje të ndryshme, të cialve iu përgjigj kryetari i Ferizajt, Agim Aliu.
Kryetari Aliu, nw kwtw ligjëratë, i këshilli studentët që sa më shumë ta duan punën, por ta duan edhe vendin dhe u premtoi se Komuna e Ferizajt do t’i mbështesë me të gjitha mundësitë që ka si në rrafshin e studimeve, të punësimit apo edhe të ndihmave të tjera që komuna ka në programin e saj qeverisës.
Cikli i “Debateve për Qeverisjen Lokale në Kosovë” në Kolegjin AAB do të vazhdojë edhe në ditët ardhshme me të gjithë kryetarët e komunave të Kosovës. Deri më tani kanë qenë katër kryetarë të komunave: Kryetari i Pejes, Gazmend Muhaxheri; kryetari i Gjilani,t Lutfi Haziri; kryetari i Gjakovës, Adrian Gjini dhe sot kryetari i Ferizajt, Agim Aliu. /Gazeta KNN