Aktuale

Albulena Haxhiu: Sistemi i drejtësisë ka marrë rolin e mbrojtësve të krimit

Lëvizja Vetëvendosje mbajti sot konferencë për media, në lidhje me vendimet e fundit të sistemit të drejtësisë, ku deputetja Albulena Haxhiu dhe anëtari i Kryesisë, Sami Kurteshi, i quajtën këto vendime skandaloze dhe të padrejta.

Deputetja Haxhiu përmendi fillimisht aktvendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës për mbylljen e seancave ndaj ish kreut të Gjykatës së Apelit, Sali Mekajt, ku sipas Haxhiut, ai nga afera “Pronto” dëshmohet të jetë njeri i këtij klani brenda drejtësisë.

“Gjykata vendosi që të përjashtojë mediet dhe publikun në seancat gjyqësore edhe përkundër faktit se edhe me Kushtetutën e Republikës, por edhe me Kodin e procedurës penale garantohet transparenca dhe publiciteti i seancave gjyqësore. Duke keqpërdorur Kodin e procedurës penale, ata që kanë keqpërdorur detyrën zyrtare, po fshihen prapa seancave te mbyllura”, tha Haxhiu në lidhje me këtë rast.

Deputetja theksoi edhe rastin e Nuhi Ukës, të cilin Gjykata Themelore e Prizrenit e shpalli të pafajshëm, e për këtë, ajo tha se sistemi i drejtësisë ka marrë rolin e mbrojtësve të krimit.

“Ky sistem është dëshmia më e mirë e përmbysjes së brendshme të këtij sistemi në veçanti, por edhe aparatit shtetëror në përgjithësi si kuptim i shtetit të së drejtës. Kjo përmbysje vjen nga vetë antagonizmi i brendshëm, i cili është vënë në shërbim të krimit të organizuar dhe grupeve kriminale që veprojnë në Kosovë dhe janë instrumente të drejtpërdrejta të subjekteve politike në pushtet”, shtoi më tutje Haxhiu.

Ndërsa, Sami Kurteshi përmendi Nuhi Ukën, Sali Mekajn e Nazmi Mustafin, të cilët kanë pasur pozicione të ndryshme në sistemin e drejtësisë, e për të cilët tha se janë vetëm disa shembuj, por s’janë as fillimi e as fundi i sistemit të drejtësisë.

Kurteshi tha se me rastin Uka kemi një dëm që është konstatuar nga vetë gjykata dhe ekspertët e kësaj fushe, mbi 60 milionë euro, dhe konsekuencat qesharake në këto raste janë dëshmia me e mirë për gjendjen e tërësishme të drejtësisë në Kosovë.

Ai tha se ky pushtet ka kapur çdo institucion, fillimisht drejtësinë, e përfshirë edhe institucionet e pavarura, gjë që ka shkaktuar humbjen gati totale të besueshmërisë në drejtësinë institucionale, transmeton KosovaPress.

“Si pasojë e mëtutjeshme e humbjes së besimit në drejtësinë institucionale, që do të duhej të ishte edhe drejtësi shoqërore, kemi një pasiguri pothuajse totale që për pasojë të radhës do të kishte tendencën për siguri personale të njerëzve. Dhe kjo tendencë nuk çon askund tjetër, veçse në krijimin e ligjit të fortit”, tha Kurteshi, për të shtuar se në Kosovë drejtësia e të fortit po krijohet duke kriminalizuar institucionet shtetërore.

Dhe për këtë, Kurteshi tha se nuk është fare e rastësishme që institucioni i gjyqësorit ka besimin me të ulët në mesin e institucioneve të Kosovës.

“Besimi në drejtësinë institucionale dhe shoqërore ka një rënie lineare të përhershme. Kjo nuk është veç opinion i publikut të brendshëm, por kjo rrjedh edhe nëse i shohim edhe raportet e progresit të BE-së”, deklaroi Kurteshi.

Më tej ai shtoi, se këto raporte për 6 vite rresht konstatojnë se sistemi i drejtësisë është në stadin fillestar dhe se nuk ka as minimalisht progres, duke thënë poashtu se derisa të kemi konstatime të tilla në këto raporte, nuk do të ketë asgjë në lidhje me liberalizimin e vizave./KosovaPress/