Kandidati për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje Albin Kurti tha sot në Viti se Vetëvendosja nuk e do thjesht fitoren, por ndryshimin në Kosovë.
Sipas tij ky ndryshim është i mundshëm vetëm nëse fiton Vetëvendosja.
Kurti tha se populli i Kosovës meriton të qeveriset nga njerëz të mençur, punëtorë, të guximshëm dhe të ndershëm.
Sipas tij këta njerëz gjenden në Vetëvendosje.
“Iu garantoj që Qeveria e Vetëvendosjes nuk do të ndalet e të zmbrapset para asnjë krimineli, por të gjithë ata do të kapen, gjykohen e dënohen nga forca e ligjit e nga drejtësia e shtetit. Me VV-në qeverisje nuk forcohet pushteti, por forcohet shteti tash e gati 18 vjet ne jemi qeverisur prej politikanëve me mendje të cekët e me xhepa të thellë. Populli i Kosovës meriton të qeveriset prej njerëzve të mençur e të dijshëm, të guximshëm e të ndershëm, punëtorë e patriotë. Të këtillë janë pikërisht njerëzit e Lëvizjes Vetëvendosje’, tha Kurti.
Kurti në këtë tubim që po mbahet në kuadër të fushatës zgjedhore tha se rinia është me Vetëvendosjen, por sipas tij jo vetëm rinia por të gjithë duhet të bëhen me Vetëvendosjen.
Rinia është me Vetëvendosjen, por me Vetëvendosjen duhet të bëhen të gjithë, bujq e zejtarë, mjek e pensionistë, profesorë e arsimtarë dhe ashtu të bashkuar t’i heqim qafe gjithë këta politikanë, himni i të cilëve quhet ‘rreth korrupsionit të bashkuar’. Me 11 qershor Republika e Kosovës bëhet Republikë e shumicës , pra me 11 qershor Kosova bëhet përnjëmend Republikë” , u shpreh ai.
Qytetarëve në Viti iu ka drejtuar edhe salih Saliu, i cili është nga kjo komunë. Salihu në mandatin e kaluar ka qenë deputet ndërsa edhe kësaj radhe garon në listën zgjedhore.
Ai tha se pas 11 qershorit me qeverisjen e VV-së Vitia do të trajtohet ndryshe dhe me dinjitet.
“Me qeverisjen e Vetëvendosjes nuk do të ndodh që Vitia të izolohet dhe tentojë të mashtrohet vetëm me premtime për qëllime elektorale . Vitia nuk do të izolohet, por do të integrohet me pjesët tjera dhe të zhvillohet . Qeveria e Vetëvendosjes dhe kryeministri Kurti nuk lejojnë që në Viti të premtohen të njëjtat projekte 10 vite. Vetëvendosje nuk premton , ajo zotohet dhe zotimet e lëvizjes përmbushen” , tha Salihu.
Ndërsa Donika Kadaj tha se Lëvizja Vetëvendosje do të jetë ajo që do t’ua kthejë shpresën të rinjve të Kosovës.
“Ne jemi bashkë me popullin , sepse 11 qershori dita e Vetëvendosjes do t’i jap fund marrëveshjeve dhe pazareve të huaja , do të hap një perspektivë të re për çdo grua , çdo burrë, çdo të ri në vendin tonë . Të gjithëve na kujtohet që Klani ‘Pronto’ bashkë me të tjerët në vitet e fundit premtuan 200 mijë vende pune, por rreth 200 mijë qytetarë të vendit e braktisën Kosovën… Prandaj ne do t’ua kthejmë shpresën do ta bëjmë Kosovën vendin ku do të kthehen të gjithë ata që ikën nga dhuna të cilën e shkaktuan këta shkatërrimtar” , tha ajo.
Simpatizantëve në Viti me një fjalim i është drejtuar edhe kandidati për deputet Ismajl Kurteshi. Ai tha se për 12 vjet Vetëvendosje është përballur me të keqen.
Përveç në Viti, Vetëvendosja mban tubime zgjedhore edhe në Deçan, Fushë Kosovë, dhe Skënderaj./kp